Sot në selinë e Federatës së Futbollit të Kosovës është hedhur shorti për ndeshjet e 1/8 të Kupës së Kosovës në futboll.

Ndeshja më interesante nga ky short doli të jetë ajo në mes të Ballkanit dhe Trepçës 89, ndeshje kjo e cila do të luhet në Suharekë.

Ndërsa sa i përket skuadrave tjera nga Superliga si Feronikeli e Prishtina do të kenë punë më të lehtë. Skuadra nga Drenasi do të luaj në shtëpi ndaj 2 Korrikut, ndërsa Prishtina do të luaj si mysafir ndaj Arbërisë.

Nënkryetari i klubit futbollistik Prishtina, Afrim Muçiqi pas hedhjes së shortit u shpreh se fakti që skuadra e tij luan me një skuadër të nivelit më të dobët nuk do të thotë punë fati, pasi Prishtina është përgatitur edhe për klube më të mëdha se sa kundërshtari që do ta kenë përballë në 1/8 të Kupës.

Muçiqi: Jemi të përgatitur edhe për klube më të mëdha

 

“Nuk është punë fati, është punë që ne jemi të përgatitur edhe për klube më të mëdhaja, mirëpo në këtë rast do ta respektojmë jashtëzakonisht shumë edhe kundërshtarin e radhës që e kemi, sepse çdo ekip që luan kundër Prishtinës e ka motivin shtesë kështu që për klubin tonë do të jetë një ndeshje sikur të gjitha ndeshjet tjera kampionale”, tha fillimisht ai.

Sa i përket ndonjë favoriti për të fituar kupën e Kosovës në futboll, Muçiqi u shpreh se nuk mund të ketë ndonjë favorit duke parë edhe ecurinë e skuadrave si në kampionat ashtu edhe në garën e kupës.

Muçiqi: Nuk mund të them se ka favorit

“Prishtina gjithsesi, ka edhe klube tjera mirëpo ju e pat edhe gjiron e fundit për shembull në kampionat pastaj edhe gjiron e kaluar të Kupës, është problem me dhënë vlerësime kështu që duke pasur parasysh edhe kushtet klimatike çfarë i kemi në Kosovë, në terrenet të cilat nuk janë në gjendje edhe aq të mira, është vështirë që të përcaktohet që të them ky apo ai është favorit duke mos i anashkaluar klubet e Superligës, por në këtë garë nuk dallon dëshira si e klubeve të Superligës po ashtu edhe të Ligës së Parë dhe të Ligës së dytë”, përfundoi Muçiqi.

Ndërsa menaxheri i përgjithshëm i klubit futbollistik Ballkani, Arben Osmani u shpreh ndeshja ndaj Trepçës 89 do të jetë një ndeshje shumë e mirë. Sipas tij Ballkani ka qenë i pamposhtur në Suharekë deri më tani dhe nuk beson që do të jetë ndryshe edhe kësaj radhë.

“Plotësisht pajtohem me ju, jo vetëm në ndeshjen e fundit por Trepça 89 luan futboll shumë të mirë, prandaj edhe jemi shumë të lumtur që na ka ra me Trepçën 89. Kjo është edhe e bukura e shortit që ndodhin çiftet që nuk mund të parashikohen. Trepça ka luajtur mirë edhe në Suharekë në kampionat, mezi i kemi mposhtur, po ashtu edhe në Mitrovicë ka qenë një luftë e vërtetë për të gjithë gurmanët e futbollit. Kështu që me parashikime nuk do të isha marrë por iu siguroj që do të jetë një futboll shumë cilësor si nga Ballkani ashtu edhe nga Trepça. Ballkani është i pamposhtur në Suharekë deri më tani nuk besoj që do të jetë ndryshe edhe kësaj radhe”, tha Osmani.

Ndeshjet e 1/8 të Kupës së Kosovës do të zhvillohen gjatë vikendit të ardhshëm me datë 7 dhe 8 dhjetor, ndërsa më poshtë i shihni çiftet e plota.

Feronikeli – Fc A&N

Drenica – Dardana

Vitia – Dukagjini

Trepça – Vushtrria

Gjilani – 2 Korriku

Arbëria – Prishtina

Ballkani – Trepça 89

Liria – Ferizaj

Share.