Punimet në spitalin Kirurgjik Pedriatrik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë në fazën finale dhe pritet që shumë shpejt të finalizohet i gjithë projekti.
Kështu u bë e ditur gjatë ditës së sotme, ku ministri në detyrë i Shëndetësisë Uran Ismaili ka inspektuar punimet në Spitalin Kirurgjik Pediatrik, me ç’rast tha se më në fund fëmijët do të kenë shërbime më kualitative.
Ndërtimi i këtij spitali që është donacion i Emirateve të Bashkuara Arabe do të kushtojë mbi 20 milionë euro dhe do të jetë i pajisur me aparaturën më moderne.
Ismaili: E shohim në fazën finale një ndërtesë që do të jetë model
“Jemi në një projekt që ka pasur shumë probleme, nuk është nisur për një kohë të gjatë edhe pse donatori i patë dhuruar paratë. Mirëpo, çka është e mira e kësaj është se sot e shohim në fazën finale një projekt i cili u pa në mënyrën si është i konstruktuar, në mënyrën si është dizajnuar, është një hapësirë tepër moderne, lidhet nëpërmjet korridoreve edhe me klinikat e tjera si gjinekologjia, por edhe të jep shërbimet tepër kualitative, tepër moderne. Do të jetë një model ndërtesë se çfarë aspirata duhet të ketë sektori i shëndetësisë, pra aspirata të objekteve moderne e jo të objekteve të vjetra çfarë i kemi trashëguar për një kohë të gjatë. Unë jam shumë i lumtur që e shoh në fazën finale, duke e ditur se e kam gjetur me shumë probleme dhe ka pasur vështirësi duke mos filluar fare, e kemi pa që ka filluar dhe tani po ngritët dhe po përfundohet dhe ky është një lajm i mirë besoj për të gj ithë sektorin e shëndetësisë, fëmijët”, tha Ismaili.
Drejtori i ShSKUK-së Basri Sejdiu, tha se me përfundimin e ndërtimit të këtij spitali përveç fëmijëve që do të përfitojnë shërbime më të mira, edhe profesionistët shëndetësor do të kenë kushte më të mira për të ofruar shërbime.
Sejdiu: Fëmijët do të mjekohen në një institucion i cili do të jetë me infrastrukturë shumë moderne
“Vizituam një projekt mjaftë kapital Kirurgjinë Pediatrike, e cila nënkupton një projekt shumë modern, shumë i mirëseardhur dhe i mirëpritur prej një kohe të gjatë. Fëmijët tanë do të mjekohen në një institucion i cili do të jetë me infrastrukturë shumë moderne, njëkohësisht i përcjellë edhe me pajisje mjaftë moderne dhe normal që kualiteti i shërbimeve shëndetësore do të ngritet. Këtu do të nënkupton që do te kemi Kirurgjinë Pediatrike, mandej do të kyçen edhe Neonatologjia dhe një pjesë e emergjencës Pediatrike, me të gjitha pajisjet që janë fjala e fundit qoftë në infrastrukturë”, tha ai.
Kurse, Naser Gjuka, projektmenaxher në Mabetex, tha se të gjitha punimet janë në fazën finale dhe se të gjitha punimet po kryhen në mënyrë profesionale.
Gjuka: Punimet janë në fazën finale
“Punimet janë në fazën finale, ku janë duke u zhvilluar punimet në pjesën e ventilimit, ujësjellësit, kanalizimit dhe elektrikes, si dhe servisblloqeve pasi e kemi bërë rilokimin e kabllove jemi në ndërtimin e këtyre servisblloqeve që do të shërbejnë për funksionimin e spitalit pediatrik. Punimet janë duke u kryer siç e patë edhe vet ne kualitetin më të lartë të mundshëm me mbikëqyrjen gjithë kohën të stafit të Mabetex dhe arkitektit të kompanisë. Deri tash pengesat jemi duke i kaluar në mënyrë profesionale”, tha ai.
Spitali i Pediatrisë që është donacion do të ketë një hapësirë përreth 10 mijë metra katrorë dhe do të integrojë të gjitha shërbimet shëndetësore që kanë të bëjnë me fëmijët, përfshirë këtu shërbimet pediatrike, shërbimet e kirurgjisë pediatrike, hemato-onkologjinë e fëmijëve, diagnostikën, shërbimet emergjente dhe shërbime të tjera.
Kujtojmë se ndërtimi i këtij spitali është përcjellë me shumë probleme, ku për vite me radhë nuk kishte filluar ndërtimi i tij.