Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh pretendent për postin e kryeministrit, Albin Kurti është deklaruar lidhur me takimin e tretë rajonal që u mbajt të shtunën në Durrës, e ku u diskutua lidhur me formimin e mini-Shëngenit ballkanik.

Kosova nuk ishte pjesë e këtij takimi pasi që presidenti Hashim Thaçi refuzoi ftesën e kryeministrit Edi Rama, pas deklarimeve të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili gjithashtu në takim, se masakra e Reçakut në Kosovë ka qenë vetëm një trillim.

Në një postim në rrjetin social Twitter, Albin Kurti ka bërë të qartë se rruga nga Beogradi për në Tiranë kalon përmes Prishtinës dhe se nuk ka nevojë për konfrontime.

“Parimet e gjithëpërfshirjes dhe reciprocitetit duhet të udhëheqin iniciativat rajonale. Rruga nga Beogradi për në Tiranë kalon nëpër Prishtinë. Ne jemi dhe gjithmonë do të jemi një popull dhe askush nuk mund të qëndrojë mes nesh. Ne kemi nevojë për më shumë bashkëpunim jo konfrontim”, shkruan Kurti

Share.