Prioritet kryesor ka qenë mbrojtja e burimeve ujore si dhe ndërtimi i hidrosistemeve të reja në Kosovë, në mënyrë që të sigurohet ujë të pijshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Kështu tha ministri në detyrë i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi në konferencën e fundvitit me gazetarë, teksa theksoi se ndotja e ajrit në kryeqytet dhe në disa komuna të tjera është një problem i madh i trashëguar.
Matoshi: Jetësuam projektin për krijimin e hidrosistemit që eviton krizat të pijshëm
“Kosova është vendi më i varfër në Evropë për nga rezervat ujore. Që nga përfundimi i luftës e këndej nuk kemi as edhe një rezervarë të ri të ndërtuar për rezerva të ujit në Kosovë. Lumenjtë tanë të gjithë, pa asnjë përjashtim dalin shumë shpejt prej vendit tonë në vendet fqinje dhe si rezultat i kësaj pozite gjeografike që kemi, Kosova ballafaqohet shpeshherë me thatësinë, me mungesë të ujit. Për këtë qëllim bashkë me Bankën Botërore pas një pune njëvjeçare kemi filluar të jetësojmë projektin e madh në këtë fushë, për krijimin e hidrosistemit, i cili do t’i evitojë krizat për sigurimin e ujit të pijshëm në pjesën lindore të Kosovës”, tha Matoshi.
Matoshi tha se në kuadër të Taksë Forcës ndërministrore për ajrin, janë adresuar çështje të rëndësishme, ku janë marrë veprime konkrete në reduktimin e ndotjes së ajrit përfshirë ndalimin e përdorimit të thëngjillit në shkolla, ndalimin e përdorimit të thëngjillit në objektet e institucioneve publike dhe instalimin e softuerit për paraqitjen e të dhënave në kohë reale mbi ndotjen e ajrit, me përkrahjen e BE-së.
Ai po ashtu tha se duhet të hyjë në fuqi ligji për cilësinë e ajrit për vetura.
Matoshi: Ndotja e ajrit mbetet problem i madh
“Ndotja e ajrit në kryeqytet dhe në disa komuna të tjera është një tjetër problem i madh me të cilin jemi ballafaquar dhe po ballafaqohemi. Është problem i trashëguar me të cilin po ashtu jemi munduar të merremi gjatë këtij mandati. Në kuadër të aktiviteteve tona që kemi edhe me Task-Forcën për ajrin, por edhe si ministri kemi ndërmarrë disa veprime në këtë drejtim, siç është ndalimi i përdorimit të thëngjillit nëpër shkollat e Kosovës, mandej, ndalimin e përdorimit të thëngjillit në objektet e institucioneve publike në Kosovë”, tha Matoshi.
Po ashtu me buxhetin e MMPH janë duke u realizuar shumë projekte në rregullimin e shtretërve të lumenjve në të gjitha komunat e Kosovës për të eliminuar degradimin e madh, të cilat arrijnë vlerën rreth 16 milionë euro.
Ndërsa për momentin në vendin tonë trajtohen vetëm 4 për qind e ujërave të zeza. Sipas ministrit në bashkëpunim me donatorët ndërkombëtarë kanë filluar projekte për ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza, disa prej të cilave janë në përfundim e sipër e disa të tjera në fazën fillestare të realizimit.
Krahas investimeve që po bëhen në fushën e ujërave, MMPH ka ndërmarrë dhe veprime ndëshkuese ndaj operatorëve ilegalë dhe qytetarëve që në një apo formë tjetër kanë ndotur burimet ujore apo lumenjtë e Kosovës.
Prioritet tjetër mjaft i rëndësishëm, sipas tij, ka qenë edhe eliminimi i deponive ilegale të mbeturinave duke organizuar fushata pastrimi e rehabilitimi të zonave të degraduara me vite në Kosovë përmes krijimit të zonave të reja të gjelbra.
Mes tjerash Matoshi, tha se duke filluar edhe investimet në zonat e veçanta të mbrojtura në Kosovë, në të cilat me vite nuk ka pasur kushte të përshtatshme minimale për vizitorë, duke përfshirë Ujëvarën e Mirushës, Shpellën e Gadimes etj.
Inspektorati i MMPH gjatë këtij viti ka bërë 790 vizita në terren, ku janë shqiptuar qindra gjoba mandatore dhe 85 inicime në gjykatë.
Gjithashtu në këtë mandat, ministri Matoshi tha se është miratuar ligji për trajtimin e ndërtimeve pa leje, e më pas është nxjerrë udhëzimi administrative në fushën e legalizimit, ku përmes këtyre udhëzimeve pritet të trajtohen rreth 352 mijë ndërtime pa leje.
Po ashtu Matoshi përmendi edhe fazën e hartimit të hartës zonale të Kosovës, si një ndër dokumentet më të rëndësishme në fushën e planifikimit hapësinor në vendin tonë.
Në përfundim të fjalimit, ministri Matoshi i ka ndarë mirënjohje Nezakete Hakajt, udhëheqëse e Divizionit për Mbrojtjen e Mjedisit, për kontributin jetësor dhënë në MMHP, në mbrojtjen e mjedisit, e cila është pensionuar nga sot. /TVMalisheva