Kuvendi Komunal i Malishevës ka dështuar të përfundojë seancën e gjashtë të jashtëzakonshme, ku është diskutuar mbi situatën e krijuar pas ngritjes së aktakuzave për keqpërdorim të detyrës zyrtare të shtatë zyrtarëve të kësaj komune.

Ndërhyrje në drejtësi edhe e panevojshme u konsiderua kjo seancë nga partia në pushtet Nisma Socialdemokrate, derisa nga opozita adresuan kritika karshi qeverisjes lokale, sipas tyre po bëhen shkelje të vazhdueshme në departamentet komunale.

Duke lëshuar sallën e kuvendit komunal dhe bojkotuar diskutimet, asamblistja e Nismës Socialdemokrate, Arbërshë Krasniqi tha se kjo seancë është e panevojshme dhe ndërhyrje në drejtësi.

Kryeziu: Politika mos të ndikojë në drejtësi

“Duke mos parë seriozitet të kësaj seance ku mungon një numër i konsiderueshëm i delegatëve nga opozita. Këtë rast ne si Nismë dhe grupi jonë parlamentar ka marrë pjesë dhe i përgjigje kësaj seance të jashtëzakonshme. Në këtë rast kryesues sipas të gjitha informacioneve që kemi është ngritur një kallëzimin penal dhe prokuroria e ka njoftuar gjykatën dhe kjo e fundit e ka kthyer si lëndë të pakompletuar. Këto janë informacionet që kemi si grup parlamentar. Për ata them se kjo seancë e jashtëzakonshme nuk do të duhej të thirrej, sepse secili prej nesh mund të gjendet në një situatë të tillë. Duhet të kemi parasysh se secili që bart përgjegjësi mund të ketë edhe raste. Por jemi ithtarë të asaj që gjitha këto mundësi dhe raste të cilat janë të sistemit të drejtësisë të respektohen. Të trajnohen pa ndikuar politikisht dhe politika ndikon negativisht në kryerjen e punës së drejtësisë”, tha ajo.

Ndërsa, asamblisti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valon Krasniqi tha se komuna e Malishevës është duke u përballur me një menaxhim të dobët të buxhetit.

Sipas tij shumica e vendimeve komunale qeverisja Begaj nuk po i zbaton, dhe po bënë shkelje të vazhdueshme në të gjitha departamentet komunale.

Krasniqi: Malisheva po përballet me menaxhim të dobët të buxhetit

“Shqyrtimi i situatës në administratën komunale të Malishevës pas ngritjes së aktakuzës kundër shtatë zyrtarëve komunalë nga Departamenti i krimeve të rënda në Prokurorinë e Gjakovës. Tashmë është e qartë për ne e sigurisht për hir të transparencës do të duhej të jetë e qartë edhe për të gjithë qytetarët e komunës së Malishevës që qeverisja Begaj pothuajse në të gjitha repartet ka dështuar. Pra, shumica e vendimeve komunale nuk u zbatuan fare, po ashtu shkelje të vazhdueshme kemi pothuajse çdo ditë në të gjitha dikasteret. Sigurisht, ne po përballemi me një menaxhim të dobët të buxheti të Kuvendit Komunal, keqpërdorim të buxhetit, si dhe devijim të projekteve kapitale”, tha ai.

Asamblisti i LVV-së Alban Krasniqi, tha se për të mbetet shqetësuese mos reflektimi i subjektit të Nismës kundrejt shkeljeve dhe keqpërdorimeve që bëhen çdo ditë në këtë komunë.

Ai tha se nuk ka drejtori në Komunën e Malishevës që nuk bënë shkelje brenda javës në dëm të pasurisë publike.

Krasniqi: Cilësia e punimeve ka qenë jashtëzakonisht e dobët

“Aty është pa që prej diku rreth 100 metra çka ka qenë tenderi aty 60 metra kanë qenë veç në terren, veç gypa, 40 metra nuk janë ekzekutuar fare. Puseta të pavendosura që ishin shënuar si të vendosura dhe të kryera si punime, cilësia e punimeve ka qenë jashtëzakonisht e dobët, rëra që është dashur të shtrohet aty nuk është shtruar fare. 100 metra gyp që ka pasur të shtrohet me diametër 30 është shtruar me diametër 20, këto tri puseta që i përmenda që kanë pasur me u rregullua nuk janë rregulluar. Në tender ka qenë shtrimi horizontal i rrugës 55 metra, në punishte asnjë shenjë nuk ka qenë e realizimit të këtij projekti”, tha ai.

Krasniqi tha se ata që kanë përfituar nga ky tender do të dihen shumë shpejt nëse prokuroria nuk i nënshtrohet ndonjë presioni politik.

Ndryshe seanca komunale pritet të vazhdojë ditën e premte./KosovaPress/

Share.