Numër i madh i qytetarëve kanë marrë pjesë në debatin e dytë publik të komunës së Deçanit, ku patën mundësi diskutimi për të gjitha punët dhe problemet që e kanë shoqëruar komunën gjatë vitit që po lëmë pas.

Para të pranishmëve i pari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj në mënyrë të përgjithshme foli rreth projekteve të realizuar gjatë vitit 2019 dhe projektet e pa realizuara që do të barten në vitin 2020.

Ramosaj: Brenda këtij përmbushëm një pjesë të synimeve tona

 

“Brenda këtij viti mendimin im personal dhe objektiv është se kemi arritur t’i përmbushim një pjesë të synimeve tona. Dhe në këtë rast unë para se të hyj në detaje sektor për sektor, se cilat janë këto objektiva, këto synime të realizuara, kisha dashur t’ia lëmë kohës, qytetarëve, e që njëkohësisht do të kishin të bëjnë  pyetje apo të kërkojnë sqarim prej neve”, tha Ramosaj.

Ramosaj tha se është obligim moral dhe ligjor që t’i përgjigjet qytetarëve për pakënaqësitë dhe problemet me të cilat përballen, e për këtë arsye i mirëpriti kërkesat dhe pyetjet e qytetarëve të Deçanit.

Qytetari Zenun Nuhaj kërkoi të di arsyet e mos rregullimit të rrugës “Gjirokastra” e cila sipas tij është në gjendje shumë të keqe.

Nuhaj: Rruga “Gjirokastra” është në gjendje shumë të keqe

 

“Kemi rrugën “Gjirokastra” diku 600 metra, e cila është në gjendje shumë të keqe. Kemi bërë një kërkesë me shkrim para dy vjetësh dhe akoma është në gjendje të keqe. A ka ndonjë plan për këtë rrugë?”, tha Nuhaj.

I pari i Deçanit u përgjigj se kjo rrugë e disa të tjera, nuk janë asfaltuar për shkak se ideja ka qenë fillimisht për infrastrukturë nëntokësore dhe sipas tij këto investime do të ishin të kota nëse nuk realizohet fillimisht infrastruktura nëntokësore.

Ramosaj: Në shtator të vitit të ardhshëm këto rrugë duhet të jenë të asfaltuara

 

“Sa i përket rrugëve ndoshta kur ta kthej përgjigjen ty, do ta kuptojnë përgjigjen edhe të tjerët. Ne kemi dy kontrata me dy kompani të cilat e kanë përgjegjësinë për të shtruar asfalt. Në këto dy kontrata që kemi nuk janë të përfshira të gjitha rrugët. Ideja fillestare kur ne kemi marrë obligim cilat fshatra për t’i kryer. Nuk kanë qenë në projekt fshati Isniq, Strellc, Dubovikë, e disa të tjera, për shkak se ideja jonë ka qenë të fillojë kanalizimi në qershor dhe për të kryer infrastrukturën nëntokësore… Po besoj që deri në shtator të vitit të ardhshëm këto rrugë për të cilat po flasim duhet të jenë të asfaltuara”, tha Ramosaj.

E Latif Bajramaj nga Jasiqi i Ri, u shpreh i zhgënjyer me anashkalimin që sipas tij po i bëhet këtij fshati që nga viti 2009.

Bajramaj: Jasiqi i Ri, taksapagues të rregullt të Komunës së Deçanit

 

“Ne si banorë të fshatit Jasiq i Ri, jemi një fshat i vogël por jemi taksapagues të rregullt të Komunës së Deçanit. Kam një pyetje për kryetarin. A ka mundësi kryetar i nderuar të sqarohesh pse fshati Jasiq i Ri është anashkaluar nga Komuna e Deçanit që nga viti 2009 e deri më sot?”, tha Bajramaj.

Ramosaj tha se është e vërtetë që në fshatin Jasiq nuk kanë investuar e krejt kjo sipas tij për shkak se investimet e parapara kanë shkuar në një fshat tjetër, por premtoi që vitin e ardhshëm do të ketë investime edhe në Jasiq.

Ramosaj: Në Jasiq problematike janë kanalet e ujitjes

 

“Nuk ndihem mirë kur flas për Jasiqin, sepse është e vërtetë se nuk kemi mundur të investojmë në Jasiq. Në Jasiq problematike janë kanalet e ujitjes që ka qenë kërkesë e vazhdueshme e banorëve të atij fshati dhe po ashtu është një rrugë që komunën e Deçanit e lidh me Komunën e Gjakovës, por kjo rrugë mirëpo nuk ka qenë në projeksionet buxhetore… Besoj se vitin tjetër do të jemi në funksion që së paku këtë investim ta bëjmë, sepse investimin që kemi pas mundësi ta realizojmë,  na është dashur ta çojmë në një fshat tjetër për shkak të specifikës së tij si fshat dhe rrezikshmërisë së tij”, përfundoi Ramosaj.

Krejt në fund u lansua edhe një video-dokumentar me projektet dhe punët e kryera nga Komuna e Deçanit në vitin 2019./TV Malisheva/

Share.