Nuk mund të ketë luftë për barazi gjinore vetëm nga gratë, kjo luftë duhet të bëhet e përbashkët me burrat dhe djemtë. Kështu ka deklaruar kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, derisa ka marrë pjesë në debatin me gra dhe vajza për proceset e vendimmarrjes të organizuar nga Forumi për Udhëheqje dhe Diplomaci.
Kusari derisa ka folur për jetën, shkollimin dhe karrierën e saj politike tha se asnjëherë nuk duhet të dorëzohesh përballë sfidave. Ajo shtoi se nuk ka barriera të cilat janë të pathyeshme, pasi sipas saj vetëm nevojitet vullnet dhe punë.
Kusari: Nuk ka barriera të cilat janë të pathyeshme
“Nuk ka barriera të cilat janë të pathyeshme, barrierat e para i vendos familja, barrierat e para i vendosim ne vetes dhe rrethi. Por, nëse jemi të përcaktuara me i thy këto barriera të gjitha kanë me u largu. A ka vështirësi? Ka shumë. A ka momente kur kam thënë që a ia vlen? Po. A ka momente kur jam ndier e thyer, e poshtëruar, e nënçmuar? Po ka dhe ndjehesh që krejt kjo punë a thua ia vlen me e shty deri në fund dhe pse unë. Edhe tash është momenti edhe ju jeni të zgjedhura secila me e pas një mision dhe me e shty një mision. Nuk mundemi ne vajzat dhe gratë pa djemtë dhe pa burrat në këtë përpjekje, kjo përpjekje është e përbashkët dhe është e vazhdueshme. Inspirimi im ose shtytja ime nuk ka qenë nëna, ka qenë babi, për arsye se ai është siguruar që vajzat e tij në këtë botë të dominuar nga burrat me qenë të pavarura”, tha ajo.
Para vajzave dhe grave nga e gjithë Kosova, kryetarja e Alternativës, tha se të gjitha vajzat dhe gratë në vendin tonë përballen me paragjykime posa të lindin.
Ajo tha se qysh e vogël e kishte kuptuar nga familjarët e saj se sa e rëndësishme për ta është që në familje të ketë një djalë, e këtë ajo tha se e kupton për shkak të paragjykimeve që ekzistojnë nga prindërit.
Kusari: Duke u rritur e kam kuptuar sa është e rëndësishme që familja me e pas një djalë
“Të gjitha që kemi lindur vajza natyrisht në fëmijërinë tonë bëhemi të vetëdijshme për faktin e dallimit prej njerëzve më të dashur. Unë jam vajza e dytë në familje dhe pas motrës së madhe dhe kur kam lindur dhe duke u rritur e kam kuptuar që është shumë e rëndësishme që familja me e pas një djalë. Këtë e kupton jo për ndonjë vlerë të veçantë, po për një gjykim ose paragjykim që ekziston me prindërit dhe kur e kupton që vlera jote si vajzë është pak më e vogël sesa vlera e djalit në familje, e kupton prej njerëzve më të dashur, e kupton prej prindërve, atyre që ta japin jetën dhe atyre që ish dashtë me të mbrojt. Prandaj, prej fillimit pak a shumë kështu fillon historia e të gjitha neve ose jemi vajzat e para që shpresojmë ta sjellim djalin mbas ose jemi vajza e dytë, e tretë e nëse je e treta si motra ime e tretë atëherë ka emra se mandej e sjell djalin. Q do të thotë, krejt çka karakterizohet jeta ose veprimtaria jonë prej 20, 30, 40 viteve më herët karakterizohet me atë që ne nuk jemi të barabarta dhe këtu fillon storia dhe historia e secilës prej nesh”, tha ajo.
Ajo ka folur edhe për vendimin e saj për t’u futur në politikë, ku në vitin 2009 kishte garuar për të qenë kryetare e Komunës së Gjakovës. Ajo tha se ishte përballur me shumë paragjykime, por që asnjëherë nuk i kishin bërë përshtypje, pasi sipas saj kishte qenë e vendosur të ndiqte ëndrrat e saj.
Kusari tha se humbja që kishte pësuar nuk e kishte zmbrapsur atë, pasi më pastaj kishte marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithshme ku kishte dal gruaja më e votuar.
Kusari: Humbja në Gjakovë më është përkthyer në një betejë për barazi
“Humbja ose hyrja me humbje për Gjakovën ma ka sjellë mua një energji e cila fillimisht nuk ka qenë e lehtë, por pastaj është përkthyer në një betejë të vazhdueshme tash edhe për demokracinë, por edhe për barazi. Kam marrë pjesë në zgjedhjet e 2010 pastaj në nivelin nacional dhe kam qenë gruaja më e votuar në Kosovë në nivelin nacional, duke e treguar kështu që ajo përpjekje dhe ajo betejë që u bë në Gjakovë u vlerësua prej njerëzve. Shpeshherë mundohemi të paragjykojmë elektoratin dhe me e fut në kuti duke thënë këta votojnë kështu, burrat votojnë kështu, gratë ashtu, është e kundërta. Në këtë rrugë të barazisë jemi bashkërisht vajza dhe djem, burra dhe gra. Do të thotë e kam pa që përkundrejt faktit që po gratë të mbështesin, janë edhe burrat që e dëshirojnë edhe progresin, por gjithashtu e vlerësojnë edhe punën dhe përkushtimin”, tha ajo.
Kusari tha se edhe kur kishte marrë pozitën e ministres së Tregtisë dhe Industrisë dhe të zëvendëskryeministres kishte punuar në vazhdimësi që sigurohet se vajzat dhe gratë me të cilat ka punuar t’iu hap rrugët. Ajo përmendi se në kohën kur kishte shërbyer si ministre kishte emëruar sekretare të përgjithshme një grua, e cila kishte qenë e vetmja në të gjitha ministritë.
E para e Alternativës, që do të jetë pjesë edhe e legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës tha se kishte punuar shumë për të vendosur kuotë gjinore nëpër borde, e për këtë thotë se do të angazhohet që të shoh se sa po implementohet ky ligj.
Ndërkaq, drejtoresha e Forumit për Udhëheqje dhe Diplomaci, Njomza Emini, tha se bashkëpunimi i grave mes vete ndihmon që të rritet prezenca e grave në jetën publike.
Ajo tha se projekti i Forumit për Udhëheqje dhe Diplomaci duhet t’i inkurajojë të gjitha gratë që të arrijnë barazinë finale.
Emini: Ky projekt duhet të na inkurajojë që ta arrijmë barazinë finale
“Bashkëpunimi me njëra tjetrën, si dhe mbështetja që i ofrojmë njëra tjetrës si gra na ndihmon që të rrisim prezencën tonë në jetën publike dhe të shtojmë nivelin e aktiviteteve të cilat i realizojmë në funksion të përmirësimit të pozitës tonë në komunitetin ku ne veprojmë në vazhdimësi. Përpjekjet tona të cilat ndonjëherë po hasin edhe në vështirësi dhe sfida të ndryshme me të cilat ne mund të përballemi përgjatë rrugës për të ngritur zërin ndaj padrejtësive dhe fenomeneve negative me të cilat përballemi nuk mund të lejojmë që të na dobësojnë, por duhet që të na inkurajojnë që të vazhdojmë përpara dhe të arrijmë objektivat tona për trajtim të barabartë. Ky projekt përkundër rëndësisë së madhe që do të ketë nuk duhet që të na përmbushë në aspekt të përpjekjeve tona për barazi, por duhet të na inkurajojë që ta arrijmë barazinë finale”, tha ajo.
Në këtë tryezë ka marrë pjesë edhe ambasadorja e Kroacisë në Kosovë Danijela Barisic, e cila tha se forume të tilla janë të mirëseardhura, ku gratë kanë mundësi që të bisedojnë për të gjitha problemet me të cilat përballen.
Kurse, gruaja e zëvendësambasadorit të ShBA-ve në Kosovë, Cory Jacobson, tha se nevojitet zëri i grave jo vetëm në politikë, po edhe në shkencë, edukim, derisa tha se inkurajon të gjitha gratë që të ndjekin ëndrrat e tyre.
Jacobson: Na nevojitet zëri më i madh i grave jo vetëm në politikë, po edhe në shkencë
“Paneli juaj sot ka të bëjë me gruan në politikë, nuk kam ndonjë përvojë për politikë dhe nuk kam ndonjë këshillë që t’ua jap në këtë aspekt, përveç t’iu them politika ka të bëjë për qytetarët që të vijnë së bashku dhe ta bëjnë një vend aty ku jetojnë më të mirë dhe të kemi mundësi të barabarta. Gratë dhe burrat, të dy, duhet të kenë zërin e ngritur që të bëjmë qytetin tonë të jetueshëm dhe të sigurt për të gjithë. Kështu që, unë iu inkurajoj që ta shikoni se çka është ai pasioni juaj dhe në çfarë keni shkathtësi dhe të bisedoni për këtë aq sa keni mundësi…Tani gratë kanë një zë dhe gratë marrin pjesë, gratë votojnë dhe kanë rolin e lidershipit në politikë, në udhëheqje dhe na nevojitet zëri më i madh i grave jo vetëm në politikë, po edhe në shkencë, në edukim dhe unë iu inkurajoj ta bëni këtë”, tha ajo.
Kohëzgjatja e projektit të Forumit për Udhëheqje dhe Diplomaci është pesë muaj dhe përfshin aktivitete të ndryshme duke përfshirë dy javë Akademinë e Udhëheqjes me trajnime dhe punëtori të ndryshme në fushat e lidershipit