Sistemi shëndetësor në Kosovë po vazhdon të përballet me probleme të shumta, ku pacientët po vazhdojnë të përballen me mungesë të barnave, aparaturave dhe mungesë të shërbimeve në spitalet e vendit. Mungesa e sigurimeve shëndetësore po vazhdon të jetë problemi më i madh sepse vetëm me sigurime shëndetësore gjendja në shëndetësi do të fillojë të përmirësohet.

Përkundër që në QKUK dhe në disa spitale të përgjithshme në vend, janë bërë renovime dhe investime në aparatura, theksohet se duhet të bëhet edhe më shumë punë që pacientët të marrin shërbime më cilësore.

Kryetari i Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve në Kosovë, Besim Kodra, thotë për KosovaPress, se pacientët në vend vazhdojnë të përballen me mungesë të barnave, shërbime apo aparaturave.

Ai thotë se pacientët po përballen me lista të gjatë të pritjes për trajtim, derisa thekson se pa ndryshim të formës së financimit të shëndetësisë nuk presin që gjërat të ndryshojnë.

Kodra: Pacientët ende po ballafaqohen me probleme që reflektojnë si nga mungesa e barnave

 

“Pacientët ende po ballafaqohen me probleme të cilat reflektojnë si nga mungesa e barnave, shërbimeve apo aparaturave, ende kemi pacientë të cilët enden portaleve duke kërkuar ndihmë për ndonjë trajtim jashtë vendit. Fondi për trajtimin jashtë vendi në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore ka hyrë në borxh për shkak të kërkesave enorme, ka pasur disa lëvizje pozitive sa i përket ShSKUK-së duke investuar kryesisht në infrastrukturë në shërbime, mirëpo ende mbeten probleme të mëdha sa i përket listave të gjata të pritjes së trajtimit të padinjitetshëm të pacientit dhe Fondi i Sigurimeve Shëndetësore i cili pretendohet se do ta ndërrojë gjendjen në Kosovë ende nuk po arrin të implementohet dhe pa ndryshimin e formës së financimit të shëndetësisë ne nuk presim që gjërat të ndryshojnë. Duke e pa që Fondi i Sigurimeve shëndetësore ende është larg dhe për një kohë mendojmë se do të kemi një gjendje të tillë të papërshtatshme për shëndetësi për pacientin”, thotë ai.

Përkundër investimeve që janë bërë në disa klinika të QKUK-së, ku përveç renovimeve të hapësirave është bërë edhe investimi në aparaturë, Kodra thotë se ende mbetet larg standardit të dëshirueshëm.

Kodra: Spitalet tjera rajonale mbeten ende larg me investime

 

“Ka ndikuar sepse listat janë harmonizuar, të paktën ka një sistem, ka disa ambulanca të cilat e kanë krijuar një lloj sistemi të trajtimit të pacientëve, po ende mbetemi larg standardit të dëshirueshëm. Gjithashtu, investimet kanë qenë kryesisht të fokusuara në QKUK, ndërsa spitalet tjera rajonale mbeten ende larg. Kjo edhe më keq kur flasim për kujdesin parësor shëndetësor që nuk ka pësuar asnjë ndryshim prej vitit të kaluar, nuk ka pasur investime fare, ende nuk ka listë të pacientëve, fondi për kujdesin parësor shëndetësor, ku pretendohet se 80 përqind e kujdesit shëndetësor duhet të merret në këto qendra nuk ka investime, pacientit dera e vetme i mbetet spitali nëse edhe aty nuk gjen derë duhet të ik diku jashtë shtetit”, thotë Kodra.

Se pacientët vazhdojnë të përballen me mungesë të barnave dhe materialit shpenzues e thotë për KosovaPress edhe kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, i cili megjithatë thotë se kjo gjendje ka filluar të përmirësohet.

Syla që përfaqëson punëtorët shëndetësor, vitin 2019 e quan si zhgënjim sa i përket mirëqenies sociale të punëtorëve shëndetësor. Ai thotë se pezullimi i ligjit për paga është lajmi më i keq që kanë marrë, pasi sipas tij me këtë ligj punëtorët shëndetësor do të kishin paga dinjitoze.

Syla: Sa i përket mirëqenies sociale ka qenë një vit jo i mirë për punëtorët shëndetësor

 

“Ka pasur disa ngjarje të cilat e kanë përshkruar këtë vit, siç e dini viti ka filluar një herë me probleme me protesta, me greva sa i përket ligjit të pagave, ligji i pagave ka përfunduar, është votuar, mirëpo zhgënjimi tash ndodhi dhe sa i përket mirëqenies sociale ka qenë një vit jo i mirë për punëtorët shëndetësor, nuk kemi gëzuar asnjë rritje të mirëqenies sociale, kemi shpresuar dhe kemi punuar. Pra, sa i përket këtij aspekti jemi mjaftë të zhgënjyer është një vit i cili shpresoj të mos kthehet më kurrë. Sa i përket zhvillime të tjera në shëndetësi e kisha nda në dy etapa, etapa e parë është intervenimet që janë bërë në disa reparte ku ka qenë pretendim i ministrit dhe ministrisë rritja e shërbimeve, këtu ka arritur ministri ta bëjë një punë sa i përket Kardiologjisë, Kardiokirurgjisë, Onkologjisë dhe disa shërbime të tjera, mund të themi që kemi arritur disa suksese, të cilat nuk janë për t u neglizhuar, por janë për t’u duartrokitur. Ajo çka ka përshkruar është problemi me furnizim me barna dhe material shpenzues, i cili nuk ka qenë stabil, ne e dimë që për shkak të tenderëve, mirëpo nuk ka qenë, kohën e fundit është stabilizuar dhe kjo konsideroj se është një e arritur sa i përket vitit 2019”, thotë ai.

Problem tjetër, Syla e sheh mungesën e infrastrukturës ligjore, ku përmend se kanë synuar të bëjnë plotësim ndryshimin e ligjit të shëndetësisë dhe ligjin mbi sigurimet shëndetësore, por që nuk kanë arritur.

Kurse, sa i përket investimeve që janë bërë në disa klinika të QKUK-së, Syla thotë se punëtorëve shëndetësor u është mundësuar të ofrojnë shërbime më cilësore, por që sipas tij, pacientët janë përfituesit më të mëdhenj.

Syla: E ka lehtësuar punën e punëtorëve shëndetësor, po më së shumti këtu përfitues janë pacientë

 

“Definitiv punëtorëve shëndetësor ua ka lehtësuar, por jo vetëm punëtorëve shëndetësor, kjo është se është kursyer një buxhet familjar dhe besoj që tash në disa Klinika ku kanë marrë pacientët tanë shërbimet dhe janë duke i marrë është një lehtësi e madhe për ekonominë e tyre familjare, ta zëmë tek stentat apo tek përkujdesja paliative në Onkologji apo edhe në reparte të tjera në përgjithësi. Këto intervenime që janë bërë nga ana e qeverisë, apo më mirë me thënë intervenime të cilat kanë qenë të domosdoshme, sepse kemi punuar si në shekullin 19, e ka lehtësuar punën e punëtorëve shëndetësor, po më së shumti këtu përfitues janë pacientë”, shprehet ai.

Në anën tjetër, drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës Basri Sejdiu, thotë se viti 2019 për këtë institucion dhe sistemin shëndetësor në vend ka qenë vit i suksesit, ku thotë se janë bërë investime të shumta në shumë klinika me qëllimin e vetëm për të ofruar shërbime sa më cilësore për pacientët.

Ai thotë se gjatë vitit që e kemi lënë pas kanë realizuar dy projekte të rëndësishme, siç është trajtimi i infarktit akut në dy orët e para dhe strock center apo trajtimi i infarktit në tru.

Sejdiu: Furnizimi me pajisje ka mundësuar që këto klinika të avancojnë me shërbime më profesionale

 

“Kur flas për furnizim me pajisje, atëherë mund të themi që vërtetë ka klinikë e cila nuk i ka pasur kurrë këto pajisje dhe furnizimi me këto pajisje ka mundësuar që këto klinika të avancojnë me shërbime më profesionale, më cilësore dhe më moderne. Si shembull konkret po e marr Klinikën e Gastroenterologjisë, e cila për vite të tëra nuk ka pasur gastroskop dhe kolonoskop dhe në mungesë të këtyre pajisjeve pacientët vazhdimisht janë referuar ku tjetër përpos në privat dhe tani janë katër laparaskop me kolonoskop, të gjitha ekzaminimet kryhen në Klinikën e Gastroenterologjisë. Klinika e Pulmologjisë nuk ka pasur bronkoskop, përveç tij kanë bronkoskop kanë edhe ultrazë të ndryshëm. Klinikat e Kirurgjisë kanë pasur një laparaskop të vjetër, të stërvjetëruar dhe tani i kanë rreth katër laparaskop të ri të shpërndarë nëpër salla kirurgjike. Klinika e Urologjisë është pajisur me aparatura që nuk i ka pasur asnjëherë. Klinika e Gjinekologjisë blerjen e laparaskopit të ri ia ka mundësuar largimin e mitrës pa operacion”, potencon ai.

Sejdiu thotë se të gjitha investimet që kanë bërë kanë ndikuar që qytetarëve t’u kthehet besimi në shëndetësinë kosovare dhe tek mjekët vendor.

Sejdiu: Ky numër flet edhe për kthimin e besimit të pacientëve tek mjekët vendor

 

“Mendoj se është një lëvizje bukur e dukshme dhe ajo vërehet tek pacientët për çdo ditë, vërehet që janë të kënaqur sepse marrin shërbime në vendin e tyre, i marrin në mënyrën më profesionale. Kur ta llogarisim për shembull ambulancat specialistike diku kanë pasur më herët 200 pacientë në ditë, tash janë 1 mijë. Kur ta llogaris kardiologjinë invazive prej vitit të kaluar 2 mijë e 500 sivjet 3 mijë e 500 dhe një vit më herët kanë qenë rreth 1 mijë. Krejt kjo flet për punën më voluminoze që po bëhet, duke iu falënderuar edhe pajisjeve të reja, mobilizimit të stafit, po çka është më e rëndësishmja ky numër flet edhe për kthimin e besimit të pacientëve tek mjekët vendor, të stafi vendor, të cilin po e merr për çdo ditë këtë shërbim dhe mendoj që kjo është një rrugë më e drejtë sepse trajtimi i pacientëve në vendin e vet krijon kosto më të vogël, është afër shtëpisë, po edhe për institucionet& nbsp; dhe për mjekët tanë të cilët ofrojnë këto shërbime është e mirëseardhur sepse me punë më voluminoze rritet edhe përformanca e tyre”, thotë Sejdiu.

Kreu i ShSKUK-së thotë se gjatë vitit 2019, nuk ka ndodhur asnjëherë të përballen me mungesë të barnave të listës esenciale, e në këtë sipas tij, ka ndikuar digjitalizimi i shërbimit farmaceutik.

Ai thotë se gjatë vitit që e kemi lënë pas kanë investuar edhe në spitalet e përgjithshme rajonale, me qëllimin e vetëm që qytetarëve t’u ofrohen shërbime më cilësore, derisa për vitin 2020, ka premtuar se do të vazhdojnë t’i avancojnë të gjitha shërbimet, të përfundojnë projektet të cilat veç kanë filluar dhe ngritjen e shërbimeve të reja

Share.