Malishevë, 6 janar
Kuvendi i Komunës së Malishevës, sot e ka mbajtur mbledhjen e XII të radhës, e cila ishte shtyrë dy herë gjatë muajit dhjetor. Kjo mbledhje është drejtuar nga kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Malishevës, Rrahim Morina. KK i Malishevës, në këtë mbledhje ka marrë disa vendime, e në mesin e këtyre vendimeve është edhe ai për pezullimin e të gjitha vendimeve dhe pëlqimeve për operimin kompanive të gurëthyesve në territorin e Komunës së Malishevës.
Po ashtu në këtë vendim, KK i Malishevës, ka kërkuar nga organet përgjegjëse që të marrin masa për revitalizimin e hapësirave të degraduara nga gurëthyesit, si dhe në të ardhmen, pëlqimet dhe vendimet në kërkesat e operatorëve për këtë veprimtari ti lëshoj Kuvendi i Komunës.
Ky vendim i Kuvendit të Komunës, është marrë pas shqyrtimit të peticioneve të fshatrave Bellanicë, Turjakë dhe Panorc, lidhur me përgatitjet për operim të gurëthyesve në afërsi të fshatrave.
Përndryshe në mbledhjen e sotme, KK i Malishevës, ka miratuar rekomandimet e mbledhjes së fundit të jashtëzakonshme e mbajtur në muajin dhjetor të vitit të kaluar, si dhe ka marrë disa vendime tjera dhe ka shqyrtuar disa raporte të komisioneve të ndryshme.
Në mesin e këtyre vendimeve janë dhe Plani i Punës s Kuvendit, për vitin 2020, si dhe me disa rekomandime e ka miratuar edhe Rregulloren për Transparencë në Komunën e Malishevës.

Share.