Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka emëruar bordet e përkohshme të drejtorëve të Trepçës, KEK-ut, Postës dhe Infrakos-it. Po ashtu, është miratuar nisma e marrëveshjes, e cila u mundëson qytetarëve të Kosovës dhe atyre të Bosnje dhe Hercegovinës që për herë të parë të hyjnë në territorin e njëra-tjetrës me letërnjoftim biometrik për një periudhë të caktuar.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka folur edhe për nismën e Qeverisë për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare me Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë mbi lirinë e lëvizjes së qytetarëve dhe palëve të treta.
Sveçla: Kjo draft-marrëveshje është si rezultat i zotimeve në Samitin e Sofjes
“Kjo draft-marrëveshje është në frymën e interesave të përbashkëta në kuadër të bashkëpunimit rajonal, si dhe rezultat i zotimeve nga liderët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor në Samitin e Sofjes të mbajtur në muajin nëntor 2020, ku nënshkruam dy deklarata ajo për tregun e përbashkët rajonal dhe deklarata për agjendën e gjelbër. Ky samit është vazhdimësi e procesit të Berlinit. Kjo marrëveshje përcakton kushtet e hyrjes, lëvizjes dhe qëndrimit të qytetarëve të palës së tretë në territorin e palëve në marrëveshje duke përdorur trafikun ajror, ujor dhe tokësor. Për informimin tuaj, qytetarët e palëve të treta sipas kësaj marrëveshje janë të gjithë personat që nuk janë shtetas të palëve nënshkruese. Për të ushtruar të drejtën e hyrjes, lëvizjes dhe qëndrimit të shtetasve të palëve të treta, palët e marrëveshjes duhet të zhvillojnë një sistem të përbashkët të informacionit lidhur me viza, për shkëmbimin e informacionit, i cili duhet të jetë i disponueshëm për autoritetet kompetente”, tha Sveçla.
Ndërsa në lidhje me këtë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, tha se duhet të kenë kujdes ndaj shteteve për të cilat kanë rezerva.
Qeveria po ashtu ka miratuar nismën e marrëveshjes, e cila u mundëson qytetarëve të Kosovës dhe atyre të Bosnje dhe Hercegovinës që për herë të parë të hyjnë në territorin e njëra-tjetrës me letërnjoftim biometrik për një periudhë të caktuar.
Sveçla: Do t’u mundësojë qytetarëve të kenë mundësi lëvizin me letërnjoftim biometrik
“Qytetarët e palëve në marrëveshje kanë të drejtë që lirshëm të hyjnë të kalojnë tranzit dhe të qëndrojnë në territorin e palëve për periudhën kohore të përcaktuar me këtë marrëveshje. Si e tillë, marrëveshja parasheh që palët do të thjeshtojnë procedurat administrative për hyrjen tranzit dhe qëndrimin e shkurtër të qytetarëve të palëve me letërnjoftim biometrik. Vlen të theksohet se kjo marrëveshje do t’u mundësojë qytetarëve të Kosovës dhe atyre të Bosnjë-Hercegovinës që për herë të parë të kenë mundësi të lëvizin në territorin e njëra-tjetrës vetëm me letërnjoftim biometrik”, ka shtuar ai.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se qeveria është e detyruar që të formojë sa më parë bordet e përkohshme të ndërmarrjeve publike, derisa të krijohen kushtet për emërimin e bordeve me mandat të plotë.
Rizvanolli: Emrat e propozuar për bordet e drejtorëve
“Emrat e propozuar për bordin e drejtorëve të përkohshëm të mbikëqyrësve të drejtorëve të ndërmarrjes “Trepça” janë Bahri Hyseni kryesues, Hekuran Nikçi anëtar, Alban Krasniqi anëtar, Shyqri Sadiku, përfaqësues i punëtorëve Shyqri Kelmendi…. “20:19” Emrat e propozuar për bordin e përkohshëm të ndërmarrjes publike qendrore “Posta e Kosovës” Sh.A janë në këtë përbërje: Safije Beseli kryesuese, Sebahate Krasniqi anëtare, Genc Rama anëtar, Naim Haliti anëtar… “25:10” Emrat e pikës 9, bordi i përkohshëm i drejtorëve të ndërmarrjes, “Korporata Energjetike e Kosovës-KEK”, janë si vijon: Rrezarta Pllana kryesuese, Bejzart Halilaj anëtar, Merita Kasapolli, Arbror Pula anëtar… Propozojmë që bordi i përkohshëm i drejtorëve të ndërmarrjes publike qendrore Infrastruktura e Hekurudhave të Kosovës-“Infrakos” të votohet me këtë përbërje: Enis Berisha kryesues, Ardita Salihu anëtare, Fitnese Ismaili anëtare, Afrim Mehmetaj anëtar”, bëri të ditur ajo.
Ministri për Kthim dhe Komunitete, Goran Rakiq ka kërkuar që të ketë përfaqësues nga veriu në bordin e Trepçës.
Rakiq: Nuk e shoh emrin e ndonjë menaxheri nga Trepça Veriore
“Më duhet të them se nuk e kam marrë as rendin e ditës në gjuhën serbe deri sa kam ardhur në seancë dhe nuk kam pasur materialin dhe atë që shoh tani, në lidhje me pezullimin e bordit mbikëqyrës. Unë mendoj se ka nevojë që një përfaqësues nga veriu të jetë në këtë bord, sepse atje është Trepça e Veriut dhe nuk e shoh emrin e ndonjë menaxheri nga Trepça Veriore ose përfaqësuesi të punëtorëve që punojnë në veri”, ka deklaruar ai.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se nuk ka pjesëtar të minoriteteve meqë nuk ka pasur të tillë që kanë aplikuar, derisa shtoi se nuk pret që në bord të jenë këta persona për kohë të gjatë.
Qeveria e Kosovës ka votuar sot për emërimin e shtatë anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim. Katër anëtarët vendorë të emëruar janë: Hasnija Ilazi, Gëzim Tosuni, Seb Bytyçi dhe Krenare Pireva-Nuçi.Ndërsa, anëtarët ndërkombëtarë janë: Alison Felce, Cassie L. Bernhardt dhe Werner J. Stueber. /TV Malisheva