Dënim maksimal për vrasësit dhe siguri për gratë dhe vajzat e reja po kërkohet nga institucionet ligjzbatuese. Ne shenjë revolte të neglizhencës së tyre në rastet kur po kanoset jeta e grave, Qendra Kosovare për Studime Gjinore ka protestuar pas vrasjes së 18-vjeçares në Ferizaj. Protestuesit kanë hedhur ngjyrë të kuqe dhe vezë në drejtim të Stacionit Policor, Gjykatës dhe Prokurorisë. E gjatë tërë kohës kanë akuzuar të trija këto që kanë duart me gjak të grave.
“Dënim maksimal për Arbër Sejdiun”, “Dënim maksimal për Dardan Krivaqën”, “Poshtë institucionet patriarkale”, Jeta e grave hajgare për policinë”, kanë qenë vetëm disa nga mbishkrimet në pankartat e protestuesve.
Bjeshkë Guri nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore ka thënë se rasti i Marigones po shpërfaq mendësinë patriarkale dhe dështimin institucional që të trajtohet me prioritet siguria e grave.
“Në shoqërinë tonë nuk ka vend të sigurt për gratë dhe vajzat. Gratë rrihen, dhunohen dhe vriten në shtëpitë e tyre. Gratë rrihen, dhunohen dhe vriten edhe në rrugë. Gratë rrihen, dhunohen dhe vriten edhe nga institucionet tona. Dhuna ndaj grave në këtë shoqëri është sistematike. Thirrjet e grave për siguri nuk dëgjohen, por dënohen dhe përçmohen. Gratë fajësohen për krimet dhe abuzimet ndaj tyre. Gratë fajësohen edhe për vrasjet që u ndodhin. Kjo shoqëri dhe këto institucione heshtin dhe legjitimojnë dhunën. E vet edhe ushtrojnë edhe dhunë”, ka thënë ajo.
Guri ka shtuar se sot po protestojnë si revoltë ndaj institucioneve dhe dështimit të tyre. Meqë edhe me rastin e Marigones, sipas saj, po vërtetohet neglizhenca e institucioneve ligjzbatuese.
“Sot kemi dalë me protestua dhe nga kjo protestë kemi disa kërkesa konkrete. Adresimi i fenomenit të femicidit ashtu siç e parasheh Konventa e Stambollit për të cilën votuan të gjithë deputetët tanë. Dënim maksimal për vrasësit; Siguri për vajzat dhe gratë në të gjitha hapësirat. Por kemi edhe një kërkesë dërguar specifikisht policisë- Trajtim të drejtë dhe të barabartë të grave që raportojnë rastet e tyre të dhunimit, kanosjes apo çfarë do rasti tjetër në baza ditore”, ka shtuar ajo.
Këto kërkesa janë përsëritur edhe pranë prokurorisë, ku major Mehmet Aliajdini njoftoi se është arrestuar Dardan Krivaqa.
“Para dy-tre minutave mora konfirmimin se personi i dyshuar Dardan Krivaqa është arrestuar para pesë minutave këtu diku në Ferizaj. Kështu që njësitet policore janë në terren janë duke e sjell personin për intërvistim. Është arrestuar në territorin e Ferizajt me një fshat”, ka njoftuar ai.
18-vjeçarja Marigona Osmani dyshohet se është vrarë nga bashkëshorti i saj, Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu. Krivaqa është arrestuar sot dhe është dërguar për mbajtje për 48 orë. Familjarë, qytetarë dhe krerë institucionalë i kanë dhënë lamtumirën e fundit Marigones, në varrezat e qytetit në Ferizaj. /TV Malisheva