Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar që mos të miratohet Plani Zhvillimor Komunal që përfshin tetë vitet e ardhshme për Prishtinën dhe nuk duhet të bëhet nga dikush që është në përfundim të mandatit.

Në një konferencë për media, deputetja Eliza Hoxha ka thënë se qeverisja aktuale në Prishtinë po tenton të miratojë këtë dokument pa diskutime të gjëra publike dhe pa transparencë. Hoxha ka thënë se plani që pritet të hidhet në diskutim publik e vulos zhvillimin e Prishtinës për tetë vitet e ardhshme.

Hoxha ka thënë se në këtë mënyrë nuk po merren parasysh nevojat dhe kërkesat e qytetarëve.

“Kjo tregon që përpos betonizimit të skajshëm të qytetit, po betonizohet edhe një mentalitet 20-vjeçar i qeverisjes në Prishtinë, ku qytetarët dhe nevojat e tyre nuk janë në qendër të diskutimit. Në qendër të diskutimit janë tokat, janë ndërtuesit, grupet e interesit dhe pazaret për koeficiente pronash. Dy javë më parë kemi nisur një letër në drejtim të asamblistëve të Komunës së Prishtinës në lidhje me Planin Zhvillimor Komunal dhe nevojën për ta ndaluar atë. Sot përmes kësaj konference, meqenëse nuk kemi parë asnjë reagim, po iu drejtohem edhe njëherë me një tjetër kërkesë. Situata është serioze dhe ne duhet të kemi një qasje të tillë karshi saj. Planet për të ardhmen duhet të bëhen nga qeverisja e ardhshme që do të zgjidhet nga qytetarët, e jo nga qeverisja që shkon”, ka thënë ajo.

Ajo ka bërë thirrje që po mos të diskutohet për dalje në diskutim publik të Planit Zhvillimor Komunal, duke shtuar se ky është një prej dokumenteve që përcakton ndërtimin e çerdheve, rrugëve, ambulantave dhe parqeve.

Sipas saj, është jetike për Prishtinën dhe qytetarët e saj që ky proces të ndalet në këtë fazë.

“Ne duhet ta kemi një plan përmbajtjesor të planifikuar dhe askush të mos ketë arsyetim për qeverisjen e tij duke u thirrur në planet që i ka miratuar dikush tjetër në të kaluarën. PZHK-në duhet ta miratoj një qeverisje në ardhje në bashkëpunim të ngushtë me qytetarët, që më pas të shërbej njësi matëse e punës së saj. Kjo është rruga e drejtë përpara. Mos deklarimi publik i partive për Planin Zhvillimor Komunal sot, nënkupton mbështetje për këtë proces. Nënkupton po ashtu se secili që e mbështetë këtë formë të vjetër të të vepruarit, nuk është i interesuar që të qeverisë me Prishtinën dhe për Prishtinën, por vetëm për pushtet dhe interesa të ngushta personale”, ka thënë ajo.

Ajo ka kërkuar nga asamblistët e Komunës së Prishtinës që të ndalojnë finalizimin e PZhK-së./TV Malisheva

 

Share.