Është mbajtur konferenca e parë përgatitore për gjykim në rastin e ish-krerëve të Organizatës së veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar masa mbrojtëse për dy dëshmitarë që janë punonjës të tyre, për çka mbrojtja ka kundërshtuar duke deklaruar se publiku ka të drejtë të ndjek gjykimin publik dhe të dijë kush janë dëshmitarët.

Në konferencën e sotme u bë e ditur se ZPS ka dorëzuar kërkesë për masa mbrojtëse për dy dëshmitarë, duke kërkuar caktim të pseudonimeve gjatë procedurave publike dhe fshirjen e emrave të dëshmitarëve. Sipas ZPS-së këto masa kanë të bëjnë me mbrojtjen e identitetit të tyre, meqë sipas prokurorëve, të njëjtit kryejnë aktivitete dhe nuk duhet penguar apo rrezikuar siguria e tyre.

Megjithatë, ZPS ka deklaruar se mbrojtja është në dijeni të identitetit të dëshmitarëve në fjalë.

Avokati Toby Cadman, i cili mbron ish-nënkryetarin e OVL-UÇK, Nasim Haradinaj, ka thënë se megjithëse janë në dijeni të dëshmitarëve, ka aspekte të dëshmisë së tyre që lidhen me dëshmitarë që nuk janë të ditur për mbrojtjen.

“Juve i mohoni të pandehurve të drejtën për t’u përballur, po i mohoni të drejtën publikut për të pasur procedura publike dhe ka kufizime specifike lidhur me atë çfarë ne mund të bëjmë kundër pyetje për këta dëshmitarë nëse identitetet e tyre nuk do të nxjerrën. Nuk jam në pozitë aktualisht për të ju thënë nëse ka kufizime specifike nëse nuk nxirret identiteti i këtyre personave. Megjithatë, është absolutisht e qartë që provat që parashtrohen ose mënyra si do të vlerësohen provat ato do të vlerësohen përmes këtyre dëshmitarëve, identitetit të tyre, dhe mënyrës si do t’i paraqesin ata. Për ne është absolutisht e vështirë në këtë fazë që të mund të parashikojmë çdo rrethanë të mundshme e cila do të na çojë në pengimin e bërjes siç duhet të kundër pyetjeve. Çështja që duhet të diskutohet është më tepër nëse ekziston nevoja, pra është e domosdoshme për dhënien e masave mbrojtëse dhe nëse ZPS është e artikuluar dhe bindëse mjaftueshëm sa i takon shkaqeve që kërkojnë mos nxjerrjen e identitetit të tyre”, ka thënë Cadman.

E avokati i Hysni Gucatit, Resse ka thënë se kjo është çështje parimi ku mbrojtja duhet të ketë mundësi në mënyrë të drejtpërdrejt të bëjë pyetje për dëshmitarët.

“Pika nisëse është se ky gjykim do të jetë një gjykim publik dhe publiku ka të drejtë të ndjekë atë. Ka interes të publikut për ndjekjen e këtij procesi dhe ata duhet të dinë se kush janë dëshmitarët dhe të ndjekin provat materiale, përjashtuar rastet kur ka arsye shumë të forta për ta ndryshuar këtë pikë nisëse të procesit gjyqësor duhet të jetë ajo të cilën e përshkrova më parë. Të nderuar, nëse ju i kërkoni ZPS-së të vijoj me kërkesën e saj, kjo është çështja juaj. Megjithatë do të doja të them se përgjigja ime është që ne duhet që të kemi mundësi që në mënyrë të drejtpërdrejtë të bëjmë pyetje dëshmitarëve. Ky është parimi i drejtë, ky është parimi i përgjithshëm, dhe ne themi që ZPS nuk e ka përmbushur kriterin e rreptë për të ndërhyrë në këtë pikë nisëse sepse siç e thamë këto janë shumë të rëndësishme në kuptimin që publiku duhet të ketë të drejtë të ndjek procesin gjyqësor”, ka thënë Resse.

Ai ka shtuar se aktualisht janë në hetime dhe po vazhdojnë të përgatiten për gjykim.

“Sjellja e ZPS-së në këtë çështje mendoj që është dhënë në detaje dhe është e qartë në dosjen e procedurës paraprake. Kjo për ne është një çështje shqetësuese dhe miratimi i masave mbrojtëse për dy persona, njeri prej të cilëve ka qenë i përfshirë në kontrollin aktiv të OVL-UÇK-së në shtator të vitit të kaluar, mendojmë që një gjë e tillë do të pengonte mundësinë tonë për të hetuar siç duhet këtë çështje. Do të pengonte mundësinë tonë për të hetuar nëse ka shqetësime sa i takon besueshmërisë së këtij dëshmitari që mund të dalë nga të folurit me dëshmitar potencial të mbrojtjes”, ka thënë ai.

Në konferencën e sotme, avokati Cadman ka thënë se i kanë parashtruar me shkrim listat me dëshmitarë të cilët planifikojnë t’i thërrasin në këtë proces gjyqësor.

“Ne në parashtrimet tona me shkrim kemi përshkruar se cilët janë dëshmitarët të cilët neve planifikojmë që të thërrasim në proces gjyqësor. Ne kemi përshkruar detajet dhe duhet të bëjmë nxjerrjet tona dhe nuk e mendojmë që ky është obligim ynë për momentin. Ne kemi identifikuar disa dëshmitarë fakti dhe dëshmitarë, të cilët mund të flasin për interesin publik në çështje të nxjerrjes. Listat përbëhen nga persona të cilët janë të punësuar nga shoqata e veteranëve të luftës në atë kohë, gazetarë dhe persona të tjerë të cilët kanë pasur përvojë me sistemin e EULEX-it. Pra këta janë personat që neve mendojmë se janë në interes të publikut dhe që parashtrohen nga mbrojtja”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, nga prokuroria kanë thënë se nuk ka prova që një zyrtar i ZPS-së ka qenë i përfshirë në dorëzimin e paketave në OVL-UÇK, të cilat janë objekt i kësaj çështje gjyqësore.

Në konferencën e parë përgatitore nuk kanë marrë pjesë Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, për çka në fillim të seancës kryetari i trupit gjykues ka bërë të ditur se të njëjtit kanë hequr dorë nga prezenca aty.

Ish-krerët e OVL-UÇK akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, për pengim të personave zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës./TV Malisheva

Share.