Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, një ditë më parë u ka bërë thirrje partive politike për shkurtimin e fushatës elektorale për shkak të gjendjes së rënduar pandemike.

Abdixhiku ka propozuar që fushata të shkurtohet nga 30 në 10 ditë.

Pozitivisht ftesës së Abdixhikut i janë përgjigjur kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Këtë e ka konfirmuar vetë Abdixhiku përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook.

Abdixhiku ka bërë me dije se madje kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, ka propozuar që fushata elektorale të shkurtohet në vetëm pesë ditë.

Ftesës së Abdixhikut deri në këto momente nuk i është përgjigjur vetëm Lëvizja Vetëvendosje dhe kryetari i saj, i cili njëherësh është kryeministër i vendit, Albin Kurti.

Këtë informacion e konfirmoi pak më parë edhe Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

“Meqenëse situata me pandeminë është tejet e rënduar, konform saj kemi propozuar një pakt partiak për shkurtim të periudhës së fushatës zgjedhore nga 30 në 10 apo më pak ditë. Deri me tani vetëm nga partia në pushtet dhe i pari i saj nuk kemi pranuar përgjigje dhe as ndonjë konfirmim” shkroi Gashi në Facebook.

Media ka tentuar disa herë të flasë me Lëvizjen Vetëvendosje në lidhje me kërkesën e parashtruar nga LDK-ja, por të njëjtit nuk kanë qenë të qasshëm në thirrjet e redaksisë tonë.

Përgjigje publike në lidhje me këtë kërkesë nuk ka patur deri në këto momente as nga kryeministri i vendit, Albin Kurti.

Vendi ynë po përballet me një situatë të rënduar pandemike, ku vetëm ditën e sotme kanë humbur jetën 26 qytetarë dhe janë infektuar me Covid-19, 1 mijë 448 të tjerë.

Sot ministri Vitia konfirmoi se për shkak të situatës së rënduar, vaksinimi pritet të bëhet edhe ditëve të diela në mbarë Kosovën.

Ai bëri me dije se mbi 90% e të hospitalizuarve janë të pavaksinuar.

Share.