Gjatë së hënës Policia e Kosovës ka shqiptuar 2 mijë e 520 gjoba për qytetarët që nuk respektuan masat antiCOVID-19.
Prej se hyrën në fuqi masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit policia ka shqiptuar mijëra gjoba.
Masat antiCOVID-19 erdhën si pasojë e numrit të lartë të numrit të vdekjeve dhe rasteve të reja pozitive me këtë virus. Në këto masa përfshihet kufizimi i lëvizjes së qytetarëve, kufizimi i punës së gastronomisë, shtyrja e fillimit të procesit mësimor deri më 13 shtator dhe masa tjera.
Ndërkohë që shqiptimi i gjobave ngriti zëra që kjo po bëhet për inate dhe është një urdhër që të dënohen qytetarët, por që gjithë këto i ka hedhur poshtë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Ai tha se shqiptimi i gjobave po bëhet për në përputhje me ligjin e jo për inate e as për të mbledhur dënimin si formë monetare.
Sveçla në emisionin e mëngjesit në Radio Televizionin Publik theksoi se masat duhet të zbatohen nga të gjithë, pa përjashtim.
“I kuptoj disa tendenca për me deviju qoftë debatin apo qëllimin e mirë të institucioneve dhe policisë së Kosovës. Urdhri është jashtëzakonisht i qartë. Masat duhet të zbatohet nga të gjithë, nuk ka asnjë përjashtim. Nuk është që Policia e Kosovës e dënon këtë popull apo këtë shoqëri siç kanë dashtë disa ta prezantojnë. Policia e Kosovës është duke marrë masa në mënyrë që të sjellim një situatë tjetër ku zbatohen këto kërkesa e të cilat do ta mbronin qytetarin e këtij vendi. Nëse një qytetar ndëshkohet sepse e ka bërë një shkelje me atë ndëshkim ne sjellim edhe vetëdijesim të tij por edhe një pasqyrim për të tjerët në mënyrë që të mbrohet populli ynë. Dënimi i dikujt nuk po bëhet përshkak të dënojmë dikë as për inat e as për të mbledhur atë dënimin si formë monetare. Jo, jo, kjo po bëhet në mënyrë që të respektohen masat të cilat shkencërisht janë dëshmi që sjellin zbritjen e infektimeve me këtë edhe mbrojtjen e jetës së qytetarit tonë dhe kjo nuk është e vetmja masë”, tha Sveçla. /TV Malisheva