Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka hedhur sot shortin për renditjen e partive politike në fletëvotimet për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Nga shorti i hedhur këtë të mërkurë, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje ka numrin 144, Partia Demokratike e Kosovës numrin 177, Lidhja Demokratike e Kosovës numrin 160, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës numrin 121.

Nga shorti i hedhur, Partia e Drejtësisë në fletëvotimin e zgjedhjeve lokale të 17 tetorit do të ketë numrin 142, partia Fjala numrin 173, Aleanca Kosova e Re numrin 149, Nisma Socialdemokrate numrin 119, Partia Socialdemokrate numrin 127, Lista e Pavarur Bekim Jashari numrin 113.

Ndërsa nga partitë jo shumicë Lista Serbe në fletëvotimin për zgjedhjet lokale të 17 tetorit do të ketë numrin 147.

Me këtë rast, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi tha se janë angazhuar që zgjedhjet lokale të 17 tetorit të jenë të lira dhe demokratike. Derisa kërkoi nga subjektet politike që të kontribuojnë në këtë proces.

Ai bëri të ditur se sikurse edhe në proceset tjera zgjedhore edhe në këto zgjedhje do të ketë vëzhgues dhe media nga vende të ndryshme të botës, për çka tha se që sot do të presin një delegacioni të vëzhguesve nga Bashkimi Evropian.

“Dua që sot para jush të garantoj të gjithë pjesëmarrësit e këtij procesi zgjedhor, e në veçanti qytetarët e Republikës së Kosovës për përkushtimin e KQZ-së në organizmin e këtij procesi zgjedhor brenda kornizave kushtetuese dhe ligjore. Në këtë proces zgjedhor dhe në mbarëvajtjen e tij rol shumë të rëndësishëm kanë edhe subjektet politike, prandaj meqenëse kemi të pranishëm përfaqësuesit e subjekteve politike dua që të ftoj të gjithë që të kontribuojnë në organizimin më sukses të këtij procesi. Zgjedhjet e lira, demokratike duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet në fuqi duhet të jenë qëllimi jonë i përbashkët”, tha ai.

Renditja e partive politike për zgjedhjet lokale të 17 tetorit fillon nga numri 101 deri në 189. /TV Malisheva

Share.