Vaksina Pfizer/BioNTech është shumë efektive në parandalimin e infeksionit dhe sëmundjeve simptomatike të shkaktuara nga varianti delta i koronavirusit tek adoleshentët e moshës 12 deri në 18-vjeç, sipas një studimi të kryer në Izrael.

Rezultatet e studimit, të publikuara në New England Journal of Medicine, ka të ngjarë të japin siguri shtesë se vaksina është efektive kundër këtij varianti te të rinjtë.

Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) tani po shqyrton miratimin e vaksinave për fëmijët mbi moshën pesë vjeç.

Studimi tregoi se efektiviteti i vlerësuar i vaksinës kundër infeksionit të konfirmuar COVID-19 tek adoleshentët ishte 90 për qind, dhe 93 për qind në rastin e COVID-it simptomatik që ndodhi shtatë ditë deri në 21 ditë pas dozës së dytë.

Organizata izraelite e shëndetësisë Clalit dhe shkencëtarët e Universitetit të Harvardit studiuan të dhënat nga 94.354 marrës të vaksinave të moshës 12 deri në 18-vjeç dhe të njëjtin numër adoleshentësh të pa vaksinuar nga e njëjta grup-moshë.

Studimi u krye midis qershorit dhe shtatorit, kur varianti delta i koronavirusit mbizotëronte në Izrael.

Në një deklaratë të lëshuar, Clalit njoftoi se studimi është një nga vlerësimet më të mëdha të rishikuara nga kolegët për efektivitetin e vaksinave kundër variantit delta të kryer në atë grup-moshë.

Në fillim të kësaj jave, një analizë e publikuar nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) zbuloi se Pfizer/BioNTech ishte 93 për qind efektive në parandalimin e shtrimeve në spital në mesin e atyre moshave 12 deri në 18-vjeç.

Vaksina Pfizer / BioNTech është miratuar për fëmijët mbi 12 vjeç dhe kompanitë po kërkojnë miratimin nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave e SHBA për përdorim te fëmijët mbi pesë vjeç.

Një panel këshilltarësh të FDA pritet të vlerësojë të dhënat për fëmijët e vegjël më vonë këtë muaj.

Në Angli, përhapja e COVID-19 te fëmijët po nxit një rritje të rasteve në popullatën e përgjithshme dhe po shkakton shqetësim te disa shkencëtarë, sepse vaksinat po jepen shumë ngadalë në shkolla. /TV Malisheva

Share.