Kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani, ka pranuar letra urimi nga Presidenti i Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Italisë, Roberto Fico, nga kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Japonisë, Oshima Tadamori, dhe nga presidentja e grupit ndërparlamentar për miqësi Francë-Ballkani Perëndimor në Senatin Francez, Marta de Cidrac.

Sipas kumtesës nga Kuvendi, në letrën e tij dërguar kryetares Osmani, Presidenti Roberto Fico ka thënë që shpreson që marrëdhëniet mes Parlamentit të Italisë dhe Kosovës do të avancohen edhe më tej. Njëkohësisht ai e ka ftuar kryetaren Osmani për një vizitë në Itali.

Kryetari Oshima Tadamori, në letrën dërguar kryetares Osmani, ka thënë se pret që bashkëpunimin e mirë mes Kosovës dhe Japonisë ta avancojë edhe më tej.

Ndërkaq presidentja Marta de Cidrac, e ka uruar kryetaren Osmani në emër të të gjithë kolegëve të saj senatorë dhe në kapacitetin e saj si presidente e grupit ndërparlamentar të miqësisë Francë-Ballkan Perëndimor në Senatin Francez.

Ajo ka paralajmëruar një vizitë në Kosovë për të kontribuar në forcimin e marrëdhënieve midis Francës dhe Kosovës./TV MALISHEVA/

Share.