Zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës nga Llapi i kanë dërguar porosi Lëvizjes Vetëvendosje, se do t’i ndajnë rrugët e bashkëpunimit me të, nëse nuk veprohet sipas kërkesës së Amerikës për heqje të taksës 100%.

Në tubimin e LDK-së për zgjedhjet në Podujevë, nënkryetari i partisë Ismet Beqiri tha se ose do të bëhet siç kërkojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ose do të ndahen rrugët, meqë sipas tij nuk ka bashkëpunim me ata që rrezikojnë partneritetin me Amerikën.

Beqiri: Ose të bëhet si thotë Amerika, ose i ndajmë rrugët

 

“As me këta që jemi aktualisht nëse rrezikohet partneriteti. Këtë po u siguroj, jemi në tubim, le ta harrojnë nëse mendoj ë me bë lojëra dhe ne me na fut në luftë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në luftë në kuptimin e mosdëgjueshmërisë, kjo nuk do të ndodh dhe o do të bëhet ajo çfarë kërkojnë miqtë tanë, partnerët tanë, sponsorizuesit e këtij shteti, o ne i ndajmë rrugët, i ndajmë dhe nuk ka tjetër zgjidhje”, tha Beqiri.

Për partneritet të fuqishëm me aleatin kryesor të shtetit të Kosovës, foli edhe shefi i deputetëve të LDK-së në Kuvendin e Kosovës, Arben Gashi. Ai tha se askush nuk mund të prish marrëdhënien e LDK-së me ShBA-të.

Gashi: Nuk mund ta prishin LDK-në me Amerikë dhe Evropë

 

“Sot ne jemi të fortë këtu, e kanë vra Enverin, por e kemi Doruntinën, e kanë vra Xhemajlin, por e kemi Besianin, e kanë vra Tahirin, por e kemi Armendin, e kanë vra Shabanin, por e kemi djalin e tij këtu, e kanë vra Fetahun por e ka ruajt Zoti, e kemi këtu, pra ne jemi më të forte, i kanë vra disa, por jemi bërë më shume, jemi më të bashkuar më të vendosur. E dimë sakte ku po shkojmë, e dim saktë çka duam, e duam një Kosovë të lirë, një Kosovë të zhvilluar, e duam një Kosovë që ka demokraci dhe mbi të gjitha ne e dimë që Kosova pa miq nuk mund të mbahet. E ata që neve duan me na prish me Amerikë, ata që duan me na prish me Evropë, nuk munden, sepse rrënjët e LDK-së janë aty”, tha ai.

Ai tha se LDK ka miqësi të veçantë me Shtetet e Bashkuara që prej kohës së Ibrahim Rugovës.

E kandidati i LDK-së për kryetar të Podujevës, Nexhmi Rudari në tubimin e mbajtur në fshatin Kërpimeh, tha se LDK në Llap i ka rrënjët thellë përkundër që disa të tjerë po provojnë t’i lëkundin ato.

Rudari: LDK në Llap i ka rrënjët e thella

 

“Lidhja Demokratike e Kosovës në Llap i ka rrënjët thellë, përkundër erërave e frymave që ata promovojnë. Këto erëra dhe fryma mund të shkulin vetëm ndonjë gjethe të kalbur, siç ka ndodhur para pak ditësh, por assesi as degët e as trungun, e aq më pak rrënjët e këtij lisi të fuqishëm, që është LDK e këtë lis e keni kultivuar e ujitur ju çdo dit me punë e aktivitete. Ata mundohen të hyjnë brenda me konceptin që ta shembin kullën nga brenda, sorollatën në çdo lagje të Metehisë, por ajo mbetët bastion i LDK-së, hynë edhe në Kërpimeh, por nuk e dinë që në Kërpimeh e kemi qëndresën, porsa të shohin qendrën siç thotë populli e ulin kokën bishtin ndër këmbë dhe e dinë nga kanë ardh. Kështu do të ndodh edhe më 15 mars”, tha ai, raporton KosovaPress.

Rudari tha se do të bashkëpunojë me ministra e deputetë, që siç tha ai do të jetë avokat i qytetarëve të Llapit.

Në tubim u tha se Llapi është identiteti i LDK-së dhe kjo parti nuk mund të paramendojë vetën pa qeverisur aty/ TV Malisheva/

Share.