Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se është refuzuar edhe njëherë nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, të cilin e ka ftuar në takim, për siç tha ai, të flasin për zhvillimet dramatike dhe shqetësuese për vendin. Thaçi ka thënë se Kurti duhet të gjejë kohën për takim në mënyrë që një i tillë të mos ndodhë pas ndonjë vendimmarrjeje të papritur për shtetin e Kosovës. Ndër të tjera, presidenti ka thënë se pavarësisht ideologjive antiamerikane të një individi në Kosovë, nuk mund të luhatet partneriteti me Amerikën
Në orarin të cilin e kishte paraparë për takim me kryeministrin Albin Kurti, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka folur para gazetarëve duke thënë se Kurti përsëri ka refuzuar të takohet me të.
Thaçi tha se në Kosovë ka zhvillime dramatike, që sipas tij janë më dramatiket në 20 vitet e fundit, andaj sipas tij, kryeministri i Kosovës duhet të mar rë vendime të cilat janë në përputhshmëri me vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe orientimin euroatlantik.
Sipas tij, nuk duhet të merren vendime që e dërgojnë Kosovën në drejtim të gabuar historik.
Thaci: E kam ftuar Kurtin të bisedojmë zhvillimet dramatike dhe shqetësuese
“Edhe dje e kam ftuar që të takohemi dhe të bisedojmë për zhvillimet e reja, zhvillime që janë dramatike dhe shqetësuese për politikën por edhe për të gjithë qytetarët e vendit, më tepër dramatike se në çdo vit të këtyre 20 viteve të fundit. Edhe sot kishte përsëri refuzim për të ardhur në takim”, tha ai.
Thaçi tha se pavarësisht tekeve apo ideologjisë antiamerikane të një individi në Kosovë, nuk mund të luhatet partneriteti me Amerikën.
Thaci: Kryeministri të gjejë kohën për takim
“Këto mesazhe që vinë dhe ky realitet është krijuar, realisht është një realitet duartrokitës për akterët anti-pavarësi, dhe natyrisht i një fërkim i duarve i gjithë atyre që kanë pritur që Kosova të lëkundë këtë raport. Por theksoj, pavarësisht inateve, tekeve apo ideologjive antiamerikane të një individi në Kosovë, shtetin e Kosovës dhe popullin e Kosovës askush nuk do të mund ta luhatë në rrugëtimin e vet dhe partneritetin special, të përjetshëm dhe besimplotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dua të shpresoj që kryeministri do të gjejë kohë për të ardhur për t’u takuar, jo pse e ka obligim por përgjegjësi, edhe si lider i partisë edhe si kryeministër aktual, në mënyrë që mos të ndodh takimi ynë i pavlerë në ndonjë vendimmarrje të papritur që mund të na vjen për shtetin tonë dhe qytetarët tanë”, tha Thaçi.
Zyrtarë amerikanë, dhe djali i presidentit Donald Trump, kanë thënë se Amerika duhet të rikonsiderojë prezencën ushtarake në Kosovë dhe Thaçi deklaroi sot se mesazhe të tilla të njerëzve të afërt me presidentin e Shteteve të Bashkuara nuk janë individuale.
Thaçi: Qëndrimet e zyrtarëve amerikanë nuk janë individuale
“Njëherë merren me djalë timin, tash me djalë të presidentit Trump, se di, mirë është të diskutohen qëndrimet e presidentëve e nuk mendoj që qëndrimet e zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, qoftë të kongresmenëve qoftë të senatorëve, njerëzve përreth presidentit Trump janë qëndrime individuale, mendoj që ne duhet të jemi shumë koshient, shumë të përgjegjshëm dhe të mendojmë për të sotmen dhe të ardhmen e gjeneratave, duhet mos të lejojmë askënd, edhe pse në pozicione të ndryshme, të sillen siç janë sjellë kundër bombardimeve të NATO-s, kundër edhe vet presidentit Clinton, zonjës Albright, presidentit Bush”, tha Thaçi.
Lidhur me deklaratat e kryeministrit Kurti, se Amerika nuk u heq trupat për shkak të tarifës 100%, por këtë do të mund ta bënte për t’i reduktuar trupat siç ka bërë në Afganistan dhe Siri, Thaçi tha se krahasime të tilla janë të paqëndrueshme.
Sipas tij, është papjekuri dhe injorancë të krahasohet intervenimi amerikan në Kosovë me prezencën amerikane në Afganistan.
Sipas Thaçit, nuk ka temë ditore të politikës elektorale në Kosovë që mund ta sfidojë partneritetin strategjik e të përjetshëm me Amerikën.
Ai tha se është i gabuar kush mendon të sfidojë raportin me Amerikën.
Thaçi: Më lehtë pensionohet para kohës çdo lider politik në Kosovë, sesa largohen trupat amerikane
“Më lehtë çdo lider i Kosovës do të shkojë në shtëpi të vet, do të pensionohet para kohës sesa do të largohen trupat amerika ne nga Kosova”, tha Thaçi.
Thaçi tha se liria dhe shteti i Kosovës nuk ka kuptim pa partneritetin strategjik me Amerikën.
Sipas tij, të tjerët mund ta lënë Kosovën në gjysmë të rrugës, siç e kanë ndëshkuar me mos liberalizim të vizave, andaj sipas Thaçit, i vetmi partner strategjik që i ka qëndruar përherë afër Kosovës është Amerika.
/G.Kadrija/