Në emër të AAK-së, deputeti Rasim Selmanaj, tha se kryeministri i Kosovës Albin Kurti e ka futur vetën në një udhëkryq dhe se Kosova po rrezikon partneritetin me SHBA-në.
Ai tha se zëvendësimi i taksës me reciprocitet mbetet një dëshirë, derisa ia bëri me dije Kurtit se do të mbetet pa taksë dhe pa reciprocitet, ndërsa rrezikon të mbetet edhe pa përkrahje të miqve ndërkombëtarë.
Selmanaj: Kosova po rrezikon partneritetin me SHBA
“Që e keni futur vetën në një udhëkryq kjo nuk do koment. Për më keq, Kosova po rrezikon partneritetin me SHBA, uroj ta kem gabim, por kjo sot nuk është vetëm percepcion, por një situatë e prekshme dhe deri diku shqetësuese. Sot kur po flasim në këtë seancë të jashtëzakonshëm, partnerët e koalicionit VV-LDK nuk kanë qëndrime të njëjta për taksën, as për dialogun, e as për atë reciprocitetin e shumëpërfolur të Albin Kurtit . Kur njeriu e fut veten në një udhëkryq pa shtegdalje, atëherë ndodhin gabime në hapa dhe veprime. Në vend që ju të negocioni për taksën, keni paralajmëruar heqjen e saj pa asnjë kundërvlerë, që mendoj se keni gabuar dhe jeni treguar i pamatur dhe jo konsistent”, tha ai.
Deputeti Selmanaj ftoi liderët politik të bashkohen rreth një konsensusi për tema nacionale, me fokus dialogun me Serbinë./TV MALISHEVA/