Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar nga deputetët që të kalojnë sot buxhetin për vitin 2020 dhe të përkrahin mocionin e deputetëve të Vetëvendosjes për procedurë të përshpejtuar.
Ai ka thënë se po e mbajnë këtë seancë të jashtëzakonshme sot për buxhetin, meqë nuk janë të sigurt nëse mund të zhvillojnë seancat në ditët e javët në vazhdim, për shkak të situatës së përhapjes së koronavirusit.
Kurti: Nuk ka garancion nëse mund të mbajmë seancë
“Ne nuk do të dëshironim që gjithçka të ndodhte Brenda një dite, por kemi konsideruar që është e nevojshme të mblidhemi sot edhe pse është e shtunë, meqenëse nuk ka garancion që do të mund të mbajmë seanca në javët apo ditët në vijim, sepse nuk e dimë se çfarë do të ndodh me përhapjen e koronavirusit. Edhe kështu qysh jemi në këtë sallë në fakt, jemi në kundërshtim me rregull at, të cilat ne vet i themi për shkak të rekomandimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike”, tha Kurti.
Ai tha se nuk mund të bëhet një buxhet emergjent për luftimin e koronavirusit, nëse nuk miratohet paraprakisht buxheti i ri 2020.
Kurti: Nuk mundtë kemi buxhet emergjent pa buxhet të ri të miratuar
“Nuk mund të kemi një buxhet emergjent, pa e pasur buxhetin e ri, na nevojitet buxheti 2020 dhe vetëm me pas ne mund të kemi buxhet emergjent. Edhe ashtu në muajin mars jemi më 1/12 e buxhetin”, tha shtoi Kurti.
E kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani, ka dhënë sqarim se propozimi nuk është që të ndalet debati, por vetëm përshpejtimi i procedurave tjera.
Osmani: Propozimi nuk është për me ndal debatin
“Propozimi nuk është për me ndal debatin, pra debat do të kemi sot sa të doni, vetëm për me i përshpejtua procedurat e tjera”, tha ajo.
Tutje, shefi i deputetë ve të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi i ftoi shefat e grupeve parlamentare për një diskutim të shkurtë rreth kërkesës së tij për mocion.
Kuvendi i kthen punimet pas 10 minutash.