Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka bërë të ditur se pasditen e sotme kanë pranuar maska dhe doreza mbrojtëse nga Ministria e Shëndetësisë, pasi kjo komunë është në karantinë pasi dy persona, banorë të kësaj komune janë diagnostikuar me koronavirus.
Haliti përmes telefonit i ka thënë KosovaPress-it se kanë dyshime që personi 77 vjeçar ka infektuar edhe persona të tjerë, prandaj tha se janë duke i marrë të gjitha masat.
“Ne dyshime kemi se personi i infektuar ka rrezik që ka infektuar edhe të tjerë. Prandaj, po e shikojmë me kujdes situatën dhe i kemi marrë të gjitha masat. Ka filluar tash pas dite me i pru disa maska dhe disa dorëza, jo diçka tjetër. Ne aspektet tjera dezinfektuese e masa të tjera i kemi marrë vet si komunë që nga dje jemi duke punuar”, tha ai.
I pari i Vitisë, tha se si komunë kanë marrë të gjitha masat për të dezinfektuar hapësirat publike
“I kemi dezinfektuar objektet brenda, duke e përfshi edhe kishën e fshatit Stubëll, ku ka marrë pjesë pacienti në një meshë edhe objektet e tjera institucionale, emergjencën, QKMF-të, objektet administrative, stacionin e Policisë, po vazhdojnë mjetet e transportit publik me i dezinfektua. Jemi duke punuar në këtë drejtim që vërtet me marrë masa me e parandalua përhapjen”, tha ai.
Numri i të prekurve me koronavirus në vend ka shkuar në tre, ku dy persona janë nga Vitia, ndërsa një nga Klina me shtetësi italiane