Nisma Socialdemokrate do të mbështesë kërkesën e presidentit Hashim Thaci, për të shpallur gjendje të jashtëzakonshme për virusin COVID-19.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj, tha se këtë kërkesë e shohin si masë preventive për të mos u përhapur më shumë ky virus.

“Nisma është e gatshme të mbështesë propozim dekretin e presidentit për gjendje të jashtëzakonshme. Këtë masë e shohim si masë preventive. Nisma në emër të kësaj do të jetë e gatshme të mbështet qeverinë e Kosovës, institucionet lokale, në funksion të tejkalimit të kësaj situate”, tha ai.

Limaj i ka bërë apel qeverisë që të fillojë të kërkojë ndihma nga shtetet mike, derisa është shprehur i gatshëm që si parti të ofrojnë ndihmë për të moshuarit, që sipas tij nuk po marrin trajtimin e duhur.

Ai ka komentuar edhe shkarkimin e ministrit të Punëve të Brendshme Agim Veliu, nga kryeministri Kurti.

“Apeli im është për të gjithë, nuk është koha për të bërë politikë. Sot nuk është koha për përplasje politike. Ne nuk marrim pjesë në beteja të përplasjes së kryeministrit dhe presidentit. Ne tani dëgjuam për ministrin, ai e ka mbështetur qëndrimin e kryetarit të partisë së tij. Është koha të gjithë bashkë të mobilizohemi”, tha ai.

I pyetur rreth pozicionit të Nismës pas situatës së krijuar, Limaj tha se fokusi duhet të jetë tek menaxhimi i situatës me virusin COVID-19

Share.