Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Memli Krasniqi, tha se seanca për votëbesimit të Qeverisë ka ardhur pas vetë-dorëzimit të kryeministrit Albin Kurti dhe Qeverisë përballë sfidave që ka vendi ynë.
Në seancën për mocionin ndaj Qeverisë Kurti, shefi i deputetëve të PDK-së, Memli Kransiqi tha se që në zanafillën e vetë, koalicioni qeverisës ndërmjet LVV-së dhe LDK-së e ka dëshmuar papërgjegjësinë ndaj vendit dhe paaftësinë për të qeverisur në mënyrë normale.
Ai tha se ky kryeministër e kjo qeveri nuk meritojnë të qeverisë Republikën e Kosovës, sepse që në orët e para të marrëveshjes filluan të nëpërkëmbin ligjet dhe institucionet e shtetit.
Ndërsa shtoi se për këtë periudhë të qeverisjes, nxiti dhe orkestroi një frymë anti-amerikane përmes neglizhimit të qëllimshëm të rekomandimeve amerikane dhe përmes diskursit kundërshtues e perçarës ndaj SHBA-ve, përmes militantëve partiakë
Krasniqi: Kjo qeveri nxiti dhe orkestroi një frymë anti-amerikane
“Kjo fyerje e institucionit më të lartë në vend u shndërrua në traditë prej kësaj shumice aktuale, nëpërmjet edhe të kontrabandimit me procedurë të përshpejtuar të buxhetit të qeverisë para pak ditësh, në një seancë tjetër që sërish përjashtoi opozitën nga procesi. Në kohën më të ndjeshme për Kosovës, Qeveria në vend se të rimëkëmbte marrëdhëniet e lënduara me SHBA-të, ajo përkundrazi nxiti dhe orkestroi një frymë anti-amerikane përmes neglizhimit të qëllimshëm të rekomandimeve amerikane dhe përmes diskursit kundërshtues e perçarës ndaj SHBA-ve, përmes militantëve partiakë”, tha ai.
Ai tha se Partia Demokratike e Kosovës nuk e ka ndihmuar dhe as nuk e ka shkaktuar, me asnjë veprim, këtë situatë.
Faji dhe përgjegjësia sipas tij është krejtësisht vetëm e këtij koalicioni qeverisës.
Krasniqi: Kurti vetë po ia vulos vetes fatin e tij politik si Kryeministër
“Kjo ikje nga përgjegjësia, institucionale dhe morale, dhe ky vet-dorëzim i Kryeministrit, duke provokuar vet me veprimet e tij mocionin e mosbesimit, është i padenjë. Sepse, po ndodh pikërisht në kohën kur do të duhej të punonte për unitet e bashkëpunim dhe jo për përçarje e ndasi. Andaj, ai vetë po ia vulos vetes fatin e tij politik si Kryeministër, bashkë me partnerin e tij, me të cilët premtuan aq shumë e bënë shumë pak për gati dy muaj qeverisje”, tha ai.
Ai tha se ky është akti i vetë-dorëzimit të Kryeministrit dhe Qeverisë së tij, pa dallim partiak, përballë sfidave që ka vendi ynë.
Andaj tha se PDK-ja do të votojë për mocionin e rrëzimit të kësaj qeverie.
Krasniqi: PDK-ja do të votojë pro mocionit të mosbesimit
“Pra, nuk mund të kishte një fund tjetër një Qeveri dhe një Kryeministër, që për një kohë kaq të shkurtër e rrezikuan skajshmërisht aleancat më jetike për Kosovën, që dështuan të ofrojnë një program zhvillimi për pritjet e qytetarëve dhe që krijuan aq shumë kundërthënie brenda vetes për një periudhë të shkurtër. Partia Demokratike e Kosovës do të votojë pro mocionit të mosbesimit, jo vetëm sepse është në krye të opozitës dhe përshkrimi i natyrshëm i punës së çdo opozite të një vendi demokratik është që t’ia shkurtoj sa më shumë jetën qeverisë, por edhe sepse me të vërtetë kjo ka qenë qeveria më e paaftë e historisë së demokracisë së Kosovës dhe meriton të ikë sa më shpejtë”, tha ai./TV MALISHEVA/