Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, njoftoi se ka biseduar me zonjën Ferdonije Qerkezi, në 21-vjetorin e rrëmbëmimit të burrit dhe katër djemve të saj në Gjakovë.

Përmes një shkrimi në Facebook, Kurti tha se të pagjeturit janë plagë që kullon ankth, ndërsa kjo duhet të jetë çështja e parë në dialogun e ardhshëm Kosovë – Serbi.

“Sot pasdite bisedova me zonjën Ferdonije Qerkezi nga Gjakova, në ditën që u mbushën 21 vjet prej kur forcat policore të Serbisë ia rrëmbyen katër djemtë dhe burrin: Artanin, Edmondin, Armendin, Ardianin dhe Halimin. Eshtrat e Artanit e Edmondit janë kthyer në vitin 2005. Asgjë nuk dihet sot e kësaj dite për fatin e tre të tjerëve. Të pagjeturit janë plagë që kullon ankth. Dhembjet e vuajtjet e nënës Ferdonije sigurisht që ne s’arrijmë t’i marrim me mend. Ky është një krim i vazhdueshëm pasi që është drejtësi e munguar. Të pagjeturit du het të jenë çështja e parë në dialogun e ardhshëm Kosovë – Serbi”, shkroi Kurti.

Ndryshe, sot u bënë 21 vite nga ngjarja tragjike e ndodhur në “Bllokun e Ri” në Gjakovë kur forcat policore, ushtarake serbo-malazeze në mënyrë të dhunshme hynë në shtëpinë e Halim Avdurrahim Qerkezit.

Aty rrëmbyen 11 meshkuj, ndër ta të zotin e shtëpisë Halim Qerkezin me katër djemtë, Artanin, Armendin, Ardianin, Edmondin, ku për fat të keq nëna Ferdonije mbeti pa asnjë anëtarë të familjes dhe jeton e vetme.

Në këtë familje, me 27 mars të vitit 1999, u rrëmbye edhe nipi Vegim Kasim Qerkezi, Shpejtim Ymeraga, e bashkë me ta edhe fqinjët Skënder Dylhasi me djalin Myrtezanë dhe dy djemtë e Gani Jetishit, Shpendi dhe Fatosi./TV MALISHEVA/

Share.