Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Lumir Abdixhiku, ka lavdëruar masat e ndërmarra nga Qeveria tashmë në dorëheqje përballë pandemisë me koronavirus, duke thënë se falë këtyre masave vendi ynë vazhdon të ketë numrin më të ulët të rasteve me COVID-19.

“Masat e marra me kohë – para shumë shteteve të tjera në Evropë e po se po edhe këtyre në rajon – bashkë me sjelljen tonë kolektive duket se po japin rezultat. Për këtë duhet falënderuar secilin prej jush. Por kjo nuk thotë asgjë nëse s’vazhdojmë të kujdesemi edhe më shumë. Shumë vende e shtete nëpër botë e kanë humbur betejën në një ditë. Po ndalëm hapin, na pret e njëjta gjë”, shkruan Abdixhiku në Facebook.

Ai me këtë rast u bën thirrje të gjithë qytetarëve për kujdes sa më të madh në periudhën, të cilën ‘ekspertët më të mirë të shtetit po e quajnë periudhë kritike’.

Postimi i plotë:

‘Jemi duke i krahasuar vazhdimisht të dhënat me rajon. Kosova vazhdon të ketë numrin më të ulët të rasteve me COVID-19. Por ky s’është lajmi thelbësor. Lajmi më i rëndësishëm ështē se vendi ynë vazhdon të ketë trend të sheshtë të lakores. Pra rritmi i rritjes s’është eksponencial. E beteja sot nëpër botë bëhet mu për këtë lakore; që ajo të jetë sa më e rrafshët, sa më e sheshtë, sa më pak e pjerrët.

Masat e marra me kohë – para shumë shteteve të tjera në Evropë e po se po edhe këtyre në rajon – bashkë me sjelljen tonë kolektive duket se po japin rezultat. Për këtë duhet falenderuar secilin prej jush. Por kjo nuk thotë asgjë nëse s’vazhdojmë të kujdesemi edhe më shumë. Shumë vende e shtete nëpër botë e kanë humbur betejën në një ditë. Po ndalëm hapin na pret e njëjta gjë.

Prandaj na duhet një raund kujdesi final, në atë që ekspertët më të mir të shtetit po e quajnë periudhë kritike. T’i dëgjojmë. Shmangini vizitat familjare, rrugëtimet pa nevojë e daljet e jourgjente. Jemi në një kohë të pazakontë, por na duhet një veprim krejt i zakonshëm – qëndrimi në shtëpi.

Edhe pak; durim. S’na ka mbetur shumë. Do të kemi kohë për të gjitha’.

Ndryshe, Kosova deri më tash ka regjistruar 94 raste me koronavirus, prej tyre një i shëruar dhe një i vdekur

Share.