Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi, deklaroi dje, në intervistën dhënë televizionit publik, se atij ka filluar t’i ndryshojë personaliteti për shkak të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Ndaj kësaj deklarate të Bislimit ka reaguar zyrtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi.

Gjoshi ka thënë se dialogu nuk është ai që e ka tjetërsuar Bislimin, por sipas Gjoshit, vetëm ua ka nxjerrë fytyrën e vërtetë të zëvendëskryeministrit por edhe të kryeministrit Albin Kurti.

Tutje zyrtari i PDK-së ka shtuar se “mashtrimi i Bislimit dhe Kurtit po shihet si njollë e zezë në këmishën e bardhë”.

“Kam frikë se dialogu ka filluar të ma ndryshojë personalitetin”, paska thënë Besnik Bislimi, njeriu që rrin pa gjumë vetem që t’i zbatojë marrëveshjet, të cilat shefi i tij, Albin Kurti, i quante tradhti kombëtare. Z. Pagjumësia, dialogu nuk iu ka tjetërsuar, por vetëm ua ka nxjerrë fytyrën e vërtetë se kush jeni ju dhe Albin Kurti. Mashtrimi i juaj po shihet si njolla e zezë në këmishën e bardhë. Ju jeni ata që e keni gënjyer Ferdonije Qerkezin se nuk do të shkoni në dialog pa u zbardhur paraprakisht fati i të pagjeturëve. E sot, Albin Kurti deklaron se jam i gatshëm të shkojë në Bruksel kurdo që dëshiron presidenti i Serbisë, Vuçiq”, ka thënë Gjoshi./TV Malisheva

Share.