Shqiptarët duhet të jenë unikë dhe bashkë, të respektojnë vendimet e institucioneve të Republikës së Kosovës, ndërsa qeveria nuk duhet të krijojë konfuzion dhe pasiguri tek qytetarët, në mënyrë që të tejkalohet kjo situatë sa më mirë.
Ky ishte mesazhi i kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, gjatë vizitës së tij të sotme që i bëri fshatrave të thella të banuara me shqiptarë, Cerajë, Bistricë e Koshtovë të komunës së Leposaviqit, si dhe fshatit Boletin të Zveqanit.
Sipas tij, banorët e kësaj ane të cilët përveç pandemisë, po ballafaqohen në këtë kohë edhe me sfidat e ndryshme të jetës, duhet të përkrahen më shumë.
Duke potencuar se mund dhe duhet të bëhet më shumë për këta njerëz, Veseli tha po ashtu se duhet të evitohet çdo pasiguri tek ta, për shkak të ambientit dhe rrethanave ku jetojnë.
Ai ka përsëritur se qeveria është dashur të jetë më e qartë rreth masave kundër pandemisë, dhe jo të krijojë vendime të dyanshme.
“Kam ardhur për t’i vizituar qytetarët tonë të cilët ndihen të shqetësuar me konfuzionin të cilën e ka krijuar panevojshëm qeveria jonë, e urdhrave të dyfishta të një shteti të cilin nuk e duam dhe nuk e njohim. Megjithatë, besoj se do të tejkalohet edhe kjo situatë. Këta janë njerëz të cilët kanë qëndruar këtu që 21 vjet, të cilët tani po ballafaqohen me pandeminë COVID-19 dhe me sfidat jetësore. Duhet të përkrahen më shumë, duhet të evitohet çdo pasiguri për këta njerëz, për vetë faktin se ambienti ku jetojnë është i tillë, dhe duhet t’ju ndihmohet. Kanë nevoja për ndihmë qoftë mjekësore, sociale…Mund të bëhet më shumë, duhet të bëhet më shumë… Nuk është dashur të krijojë vendime të dyanshme, është dashur të qartësojë nëse ka qenë në pajtueshmëri Republika e Kosovës me Republikën e Serbisë për masat ndaj pandemisë ka qenë tërësisht në rregull, por është dashur vetëm të qartësohet dhe mos të krijohet konfuzion. Sepse në mënyrë të veçantë ka ndikuar ky qarkullimi dy orarësh, nga ora 5:00 është e institucioneve tona, pastaj nga ora 13:00 është e qeverisë së Serbisë, vendosja e dy komunave në karantinë po ashtu ka krijuar një pakënaqësi sepse ka qenë një vendim në përputhje me gjendjen e jashtëzakonshme me Republikën e Serbisë. Mesazhi është ky, të qëndroni sa më shumë bashkë, mos të krijohet pasiguri dhe konfuzion tek qytetarët nga ana e qeverisë tonë, dhe të tejkalohet kjo situatë përmes informimit dhe transparencës”, ka thënë Veseli.
Ai sqaroi se qytetarët nuk duhet të kenë dilemë, ata duhet të respektojnë vendimet e qarta të qeverisë së Republikës së Kosovës.
Shaqir Hetemi, përfaqësues i banorëve të tre fshatrave shqiptare të Leposaviqit, vizitën e Veselit e quajti mbështetje të madhe morale për ta.
Ai përmendi si shqetësim përveç tjerash, edhe lëvizjen e lirë të banorëve për nevoja urgjente, për të cilën tha se policia po i pengon gjatë qarkullimit të tyre për në Mitrovicë.
“Pak u bë një ndërlikim. Ne jemi duke respektuar vetëm policinë e Kosovës…por nëse kanë diçka, i lutemi mos të na pengojmë sepse po na pengojnë në lëvizje kur kemi me shku me ble ndonjë ushqim ose kontrollime mjekësore kur kemi me shku në Mitrovicë po na pengojnë në rrugën magjistrale Leposaviq – Mitrovicë”, theksoi Hetemi.
Shefit Behrami, banor i fshatit Bistricë, duke lavdëruar Veselin që sa herë kanë pasur vështirësi, ju është gjendur afër, tha se nuk do ta lëshojë vendlindjen kurrë, pavarësisht vështirësive.
Në anën tjetër, Tafil Peci, banor i fshatit Boletin, u ankua për mungesë të barërave dhe një autoambulance./ Tv Malisheva