Bordi i përkohshëm i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, ka shkarkuar sot zyrtarët e lartë të kësaj ndërmarrje. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se këta të fundit e kanë rrënuar kompaninë në tri vitet e fundit. Për shkarkimin e tyre, janë numëruar gjetjet, sipas të cilave, menaxhmenti i KRU “Prishtina”, ka bërë një sërë shkeljesh dhe e ka keqmenaxhuar ndërmarrjen publike.
Një gjë e tillë është bërë e ditur sot në një konferencë për media, ku i pari i ekzekutivit, i cili është në detyrë, Albin Kurti tha se këto shkarkime janë bërë me qëllim të ndaljes së degradimit të kësaj ndërmarrje dhe ruajtjes së parasë publike të qytetarëve.
Kurti: Bordi i përkohshëm është detyruar që të marrë masa të shpejta
“Është mbajtur mbledhje e jashtëzakonshme nga bordi i përkohsh m i ujësjellësit të kompanisë Rajonale “Prishtina”, në të cilën është vendosur që të shkarkohet zëvendëskryeshefi ekzekutiv, zyrtari kryesor financiar dhe është kthyer në pozitën e mëparshme ushtruesi i detyrës të kryeshefit ekzekutiv, e që është si drejtor për konsumatorët. Gjithashtu vlen të theksohet se nuk është shkarkuar auditori i brendshëm, i cili kishte kryer punën e tij me profesionalizëm dhe përpikëri. Të gjitha këto vendime janë marrë në përputhje me Ligjin për Ndërmarrjet Publike, me qëllim të ndaljes së degradimit të kësaj ndërmarrje dhe ruajtjes së parasë publike të qytetarëve. Bordi i përkohshëm është detyruar që të marrë masa të shpejta pasi që kompania rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, në tre vitet e fundit kishte pësuar rrënim me këtë menaxhment, duke keqësuar gjendjen e saj operative dhe financiare”, tha ai.
Sipas tij, kjo kompani ka marrë opinionin më të keq nga auditori i jashtëm, dhe se siç tha ai, asnjëherë nuk e kishte përfillur auditori i brendshëm. Menaxhmenti edhe pse operonte me humbje, Kurti tha se kishte vazhduar të paguante bonuse për punëtorë në vlerë prej 110 mijë euro.
Për këtë, ministrja e MEPTINIS, Rozeta Hajdari ka përmendur 15 gjetjet që kanë ardhur prej raportit të auditorit të brendshëm dhe të jashtëm, e që sipas saj kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, ka të inkasuar një shumë prej mbi 640 mijë euro, të cilat janë të paguara nga qytetarët, por që sipas Hajdarit, ato u janë zbritur. Ministrja në detyrë, tha se kjo është një parregullsi ku qytetarët kanë paguar vazhdimisht, por borxhi i tyre nuk i është shlyer.
Hajdari: Humbjet teknike dhe komerciale të ujit në vitin 2018 ishin 58 për qind
“Humbjet teknike dhe komerciale të ujit në vitin 2018 ishin 58 për qind, e cila ishte rritur nga viti në vit. Në vitin 2015 ishin 53 për qind, ndërsa në vitin 2017 ishin 57 për qind, kurse në vitin 2018 ishin 58 për qind. Pra, tregon një deformim negativ nga viti në vit. Kjo gjetje do të thotë se KRU Prishtina, 58 për qind të ujit të cilin e hedh në rrjetet nuk mund ta faturojë fare. Nëse 10 për qind e humbjeve do të zvogëloheshin KRU Prishtina do të kishte një buxhet shtesë prej 1 milion e 400 mijë euro, dhe jo që do të zvogëlonte humbjen vjetore por edhe do të operonte me fitim. KRU Prishtina ka paguar 200 mijë euro si ndëshkim kompanisë që i kishte dështuar t’ia plotësojë kushtet për të implementuar projektin investiv. Pra, në këtë rast KRU Prishtina nuk ka siguruar kushte paraprake për operim të projektit. Dhe kjo tregon një neglizhencë që këta kanë treguar pa krijuar kushtet paraprake për zbatim të projektit”, tha ajo.
Rozeta Hajdari e cila udhëheq ministrinë e Ekonomisë,tha se kompania rajonale “Prishtina”, kishte tra jtuar me standarde të dyfishta konsumatorët, ku kjo e fundit nuk kishte ndërmarrë asgjë për ata që kishin borxhe në vlerë të madhe, ndërkaq konsumatorët të cilët kishin vetëm 200 euro borxh ishin dërguar në përmbarim.
Hajdari: KRU Prishtina kishte një humbje drastike të fitimit
“Nën drejtimin e këtij menaxhmenti, KRU gjatë vitit 2018 ka deklaruar dhe paguar bonuse për punëtorët në vlerë prej 109 mijë euro edhe pse gjatë vitit kishte operuar me një humbje prej 751 mijë euro. Pra, në tri vitet e fundit kompania kishte një humbje drastike të fitimit dhe megjithatë në këtë gjendje të vështirë financiare menaxhmenti kishte shpërndarë bonuse për punëtorët në vlerë prej 109 mijë euro. KRU Prishtina kishte një shumë prej 86 mijë e 723 mijë euro kërkesa nga punëtorët të cilat nuk ishin arkëtuar nga viti 2014-2017. Pra edhe pse kompania operonte me humbje menaxhmenti nuk ishte kujdesur të inkasojë këto kërkesa të cilat ishin ndaj punëtorëve që nga viti 2014. Për më tepër punëtorët nuk mundin të dalin në pension, dhe si rrjedhojë kompania nuk mund t’i inkasojë këto mjete”, deklaroi ajo.
Krahas kësaj, në mesin e shkeljeve të gjetura, Hajdari tha se kjo kompani kishte blerë mjete të përdorura në vlerë prej mbi 63 mijë euro, ani pse nuk rekomandohej një gjë e tillë. Ajo tha se kjo ndërmarrje kishte mashtruar në raportim të pasqyrave financiare, duke deklaruar si obligime të TVSH-së në vlerë prej 287 mijë euro, ani pse gjendja ishte ndryshe.
Pas kësaj, kryeministri në detyrë Albin Kurti, tha se pret që pas këtyre shkeljeve të veprojnë organet e drejtësisë