Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se barra e përgjegjësive të punëtorëve shëndetësore dhe atyre të sigurisë po bëhet gjithnjë e më e rëndë në zbatimin e planit për parandalimin dhe menaxhimin e pandemisë.
Ai ka falënderuar mjekët dhe pjesëtarët e mekanizmave të sigurisë në vend, duke i quajtur heronjtë të vërtetë të kohës.
Ish kryeministri i Kosovës ka shkruar në facebook se me vetëdije të lartë dhe përgjegjësi kolektive do kalojë edhe lufta kundër koronavirusit.
“Të nderuar pjesëtarë të institucioneve shëndetësore dhe të mekanizmave të sigurisë së vendit tonë. Barra e përgjegjësive tuaja po bëhet gjithnjë e më e rëndë në zbatim të planit për parandalimin dhe menaxhimin e pandemisë Covid-19, prandaj, ju lutëm pranoni konsideratat e mia të larta. Një falënderim, ashtu sikurse ndjen edhe çdo qytetar i vendit tonë, për punën dhe humanizmin e jashtëzakonshëm të cilën ju si mjekë, infermierë, policë dhe pjesëtarë të të gjithë mekanizmave tona të sigurisë, po e dëshmoni në këtë kohë kritike. Sot, ju jeni heronjtë e vërtetë të kohës sonë. Bashkë, me vetëdije të lartë dhe përgjegjësi kolektive, jam i sigurt se do t’ia dalim, siç ia kemi dalur në kohëra të vështira”, ka shkruar Haradinaj./