Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, nën kryesimin e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, mori sot vendim për themelimin e grupit koordinues për trajtimin dhe adresimin e çështjeve ekonomike dhe problemeve që ka sektori privat, si rezultat i përballjes me koronavirusin e ri COVID-19.
Kryeministri në detyrë edhe një herë ka akuzuar qeverisjet e kaluara për siç u shpreh, rrënimin e sistemit shëndetësor.
“Ata që me vite rrënuan sistemin shëndetësor nuk shëroheshin te mjeku dhe spitali i shtetit, prandaj edhe nuk investuan në shëndetësinë publike, ama bash ata që na vodhën e mjeruan kaq shumë po na qajnë tash hallin më së shumti,” tha Kurti.
Ai tha se Qeveria në detyrë e Kosovës, përpos masave për t’i dalë në ndihmë shëndetit publik, ajo tashmë ka marrë edhe masat për t’i dalë në ndihmë shëndetit ekonomik.
Pas Pakos Emergjente Fiskale të hartuar nga Ministria e Financave dhe Transfereve, kryeministri në detyrë Kurti tha se Qeveria në detyrë është duke e planifikuar pakon e dytë – atë të rimëkëmbjes ekonomike, e cila do të jetë shumë më e madhe se pakoja emergjente dhe do të ketë kohështrirje shumë më të gjatë.
“Ekonomia të cilën do ta ndërtojmë pas kësaj krize duhet të punojë për të gjithë. Ajo është një ekonomi ku puna dhe përgjegjësia shpërblehet, ku secili merre pjesën që meriton dhe paguan kontributin që i takon. Një ekonomi e orientuar në mundësi dhe shanse të barabarta. Nëse masat e deritanishme nuk ua kanë mbushur syrin, masat që do t’i marrim tash e tutje do t’ua tejkalojnë pritjet. Për këtë, ju siguroj”, tha Kurti