Kryetarja në detyrë e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se qysh nesër do të procedojë një draft të ligjit të veçantë për pandeminë, që sipas saj do t’i trajtojë të gjitha kufizimet e lirive të njeriut.

Osmani tha se në mbledhjen e fundit të Kryesisë së Kuvendit, e kanë diskutuar obligimin e Kuvendit që pas aktgjykimit të Kushtetueses të nxjerrë ligj të veçantë, i cili autorizon kufizimin e të drejtave të njeriut.

Ajo tha se i ka njoftuar kryetarët e grupeve parlamentare që mendimi i saj është që urgjentisht të procedojnë me një ligj të tillë në Kuvend, por që kërkesa e saj nuk kishte gjetur përkrahje.

Osmani: Si deputetë të Kuvendit ne e kemi obligim që urgjentisht ta iniciojmë këtë ligj

 

“Si deputetë të Kuvendit ne e kemi obligim që urgjentisht ta iniciojmë këtë ligj. E dinë anëtarët e kryesisë dhe shefat e grupev e parlamentare që qysh atë ditë i kam njoftuar se ka ekspertë, profesorë të së drejtës kushtetuese që e kanë ofruar ndihmën e tyre që për 24 orë ta bëjnë këtë ligj. Pasi në kryesi nuk ka pasur një konsensus dhe ju e dini që pa e pasur vullnetin e grupeve politike unë kot e thërras seancën, meqë nuk ka pasur një konsensus të tillë unë do ta procedojë një draft qysh nesër, po sipas të gjitha procedurave që janë të parapara në rregullore të Kuvendit dhe Kushtetutën e Kosovës. Pra, si nismë legjislative e hartuar nga ekspertët në përputhje të plotë me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, në qoftë se ka vullnet politik për pak ditë vendoset në rend dite të këtij Kuvendi dhe eliminon çdo paqartësi ligjore dhe Kushtetuese”, tha Osmani.

Ndryshe, Partia Demokratike e Kosovës ka tërhequr rezolutën për pako emergjente, pasi sipas tyre nuk ka pajtueshmëri që të futen në rend të ditës dy projektligjet e propozuara nga ta.

Mbi bazën e kësaj, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani e mbylli seancën/TV Malisheva

Share.