Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon i ka bërë thirrje sot Qeverisë së Kosovës që për masat kufizuese në lidhje me COVID-19 t’i kthehet bazës së Kushtetutës, pasi sipas saj, nuk mund të kufizohet në këtë mënyrë orari i qarkullimit të njerëzve.
Reagimi i saj vjen pasi sot kanë hyrë në fuqi masat e reja të Ministrisë së Shëndetësisë, sipas të cilave qytetarët mund të dalin një herë në ditë dhe atë për vetëm një orë e gjysmë sipas numrit të parafundit të numrit personal të letërnjoftimit.
Në arsyetim, Ministria e Shëndetësisë kishte thënë se kjo është ndërmarrë për të parandaluar përhapjen e mëtejme të koronavirusit, nga i cili deri më tash janë prekur 387 persona, prej tyre nëntë kanë vdekur.
Por, eurodeputetja Viola von Cramon nuk pajtohet me këtë duke thënë se rregullat e kufizimit të lëvizjes duhet të jenë në pajtueshmëri me Kushtetutën.
“Rregullat që krijojnë më shumë konfuzion dhe që nuk janë në pajtim me Kushtetutën mund të shkaktojnë më shumë dëm. Shtetet tjera kanë caktuar kohën që mund të kalosh jashtë, por jo edhe orën se kur mund të dalësh. Qeveria duhet të kthehet prapa te bazat kushtetuese”, shkruan Viola von Cramon në një status në Twitter