Pas dëmeve të shkaktuara te fermerët nga reshjet dhe breshëri, kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti ka vizituar sot komunën e Mamushës.

Në këtë komunë kjo fatkeqësi natyrore ka shkaktuar dëme në vlerë 3 milionë e gjysmë.

Derisa ka vizituar disa fermerë, kryeministri në detyrë tha se dihet t’u ndihmohet popullit punëtor pasi kontribuojnë në buxhetin e shtetit.

Kurti theksoi se duhet fillimisht të bëhet vlerësimi i dëmeve e pastaj edhe kompensimi i drejtë.

Kurti: Mamushës duhet t’i dalim në ndihmë

“Popullit punëtor të Nëpërbishtit, Mamushës dhe gjithë këtij rajoni duhet t’i dalim në ndihmë për shkak se kontribuojnë në prodhimin vendor në buxhetin e shtetit, prandaj jemi këtu që të tregojmë përkushtimin tonë që në kuadër të pandemisë së koronavirusit, kur kemi edhe një fatkeqësi të këtillë shtesë, shteti duhet ta dëshmojë veten. Ekziston edhe buxheti për Ministrinë e Bujqësisë në kuadër të pakos emergjente fiskale dhe duhet të bëhet evidentimi i këtyre dëmtimeve me një komision, e më pastaj të bëhet vlerësimi i tyre ashtu që të bëhet kompensimi i drejtë. Kur sheh një prodhimtari kaq të madhe, qeveria këta njerëz duhet t’i ndihmojë edhe kur nuk ka fatkeqësi natyrore e lërë më tash kur i goditi që askush që është i gjallë nuk e mban mend të ketë ndodhur në të kaluarën”, tha Kurti.

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa tha se brenda mundësive financiare do t’i kompensojnë dëmet e fermerëve.

Mustafa: Do të bëjmë kompensimin e dëmeve

“Kemi themeluar komisionet e përbashkëta dhe vlerësimin e këtyre dëmeve brenda buxhetit financiar që ka duke përfshirë pakon emergjente por edhe rezerva që kemi të ndara të kompensimit të dëmeve dhe do të bëjmë kompensimin e dëmeve”, tha Mustafa.

Kryetari i Komunës së Mamushës, Abdulhadi Krasniq duke shpresuar që sa më herët do të bëhet kompensimi i dëmeve, tha se 99 për qind e serave janë të dëmtuara nga breshëri.

Ai tha se kjo fatkeqësi natyrore te bujqit e Mamushës ka shkaktuar rreth 3.5 milionë euro dëme vetëm në sera.

Krasniq: Dëmet rreth 3.5 milionë euro

“Vetëm serat sipas llogarive që kanë blerë bujqit 300 hektarë është 3 milionë euro e gjysmë…Dëmtimi i bujqve të Mamushës nuk është vetëm i bujqve të Mamushës por i gjithë Kosovës, është një zinxhir që do të ndikojë edhe në shtrenjtimin e produkteve dhe perimeve që prodhohen në Mamushë… Komuna e Mamushës në total më buxhetin arsim, shëndetësi, zjarrfikës është 2 milionë euro vetëm serat kushtojnë 3 milionë e gjysmë. Ne nuk mund t’ia dalim. 27 mijë euro i kemi subvencione prej buxhetit tonë”, tha ai./Tv Malisheva

Share.