Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka akuzuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti se po keqpërdorë institucionet e shtetit për ‘ngadhënjimin e revolucionit të tij të synuar ideologjik’.

Në emisionin Debat Plus të TV Dukagjini, i pari vendit tha se askund në botë në kohë pandemie nuk ndodh që një kryeministër të organizojë protesta kundër institucioneve që ai vetë drejton.

“Kjo bëhet për ngadhënjimin e revolucionit të tij të synuar ideologjik. Për çka tjetër do të mbajë protestën kur ai është vetë në zyrën e kryeministrit”, është shprehur presidenti Thaçi.

Ai tha se Kurti dhe grupi i tij duhet të përballen me drejtësinë, për shkak të keqpërdorimeve të miliona eurove në tenderët e Ministrisë së Shëndetësisë gjatë kohës së pandemisë, vdekjen e një studenti në Qendrën e Karantinës dhe keqpërdorime të tjera.

Sipas tij, ‘kupola’ e të gjitha këtyre është Kurti që vjen nga një grup që vepron në mënyrë kriminale.

“Çka solli Kurti? Është mollotovi, minahedhësi, djegia e institucioneve. Ky është regjimi i ri. Pse Kurti dhe grupi i tij e heshtin rastin Dehari dhe tash nuk merren me atë çështje. Me çka u morën prejse erdhën në pushtet?”, tha presidenti Thaçi

Share.