Me vendim të Qeverisë së Kosovës viti shkollor është planifikuar të fillojë të hënën e ardhshme (më 13 shtator). Por, ende nuk është e sigurt nëse nxënësit do të ulen në banka shkollore pas katër ditësh.

Kjo për faktin se situata pandemike në vend vazhdon të jetë e rënduar.

Nga Ministria e Arsimit kanë bërë të ditur se vendimin përfundimtar për këtë çështje e marrin institucionet shëndetësore.

“Synimi ynë është që shkollat të hapen me 13 shtator, por vendimi përfundimtar do të merret nga Qeveria bazuar në rekomandimet e profesionistëve shëndetësor, varësisht nga situata epidemiologjike”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Më tutje kanë bërë të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet e poashtu janë shpërndarë edhe librat nëpër shkolla.

“Janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për fillimin e vitit të ri shkollor. Janë shpërndarë tekstet shkollore, janë zhvilluar skenarët për mbajtjen e mësimit si dhe janë përgatitur shkollat”, kanë thënë nga Ministria.

Ndërkaq, në Ministrinë e Shëndetësisë kanë bërë të ditur se aktualisht në fuqi është vendimi që mësimi të fillojë më 13 shtator.

Në këtë dikaster kanë bërë me dije se gjithçka do të varet nga situata epidemiologjike.

“Aktualisht është në fuqi vendimi për fillimin e mësimit fizik në shkolla më 13 shtator. MSh dhe MASh do të përfillin rekomandimet e IKSHPK-së dhe ekspertëve të fushës për sa i përket fillimit të mësimit në shkolla, me prani fizike apo skenarë të tjerë varësisht prej situatës”, thuhet në përgjigjen e MSh-së.

Qehaja: Mësimi online nuk ishte efektiv, nxënësit të kthehen në shkolla

Rinor Qehaja Rinor Qehaja nga Instituti “Edgard” është shprehur kundër shtyrjes së mëtejmë të fillimit të vitit shkollorë.

Sipas tij, një shtyrje tjetër do të ishte në dëm të procesit mësimorë dhe vet nxënësve.

“Çfarëdo shtyrje tjetër e rikthimit në shkolla, përtej 13 shtatorit do të jetë e papranueshme dhe në dëm të jashtëzakonshëm, qoftë në proces mësimor, por edhe të vet nxënësit”, ka thënë Qehaja.

Qehaja u ka bërë thirrje institucioneve relevante që të kenë prioritet kthimin fizik në shkolla të nxënësve dhe të mësimdhënësve, pasi, sipas tij, mësimi online nuk ka qenë fare efektiv.

“Institucionet tona duhet të kenë me prioritet rikthimin me prezencë të plotë fizike, tashmë na është dëshmuar që edhe mësimi nga distanca por edhe ai online, kanë qenë fare efektiv”, ka thënë ai.

Jasharaj: Mësimi në shkolla është më i realizueshëm

Edhe nga Sindikata e Arsimit (SBASHK) kanë shprehur gatishmërinë që mësimi të filloj në shkolla.

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, është shprehur se mësimdhënësit presin që shkollat t’i kthehen mësimit fizik, pasi kjo, sipas tij, është më efektive.

“Ajo që mësimdhënësit dëshirojnë dhe urojnë është që të punojnë në shkollë, sepse procesi mësimorë është shumë më i realizueshëm”, ka thënë ai.

Ai më tutje u shpreh se nuk dihet nëse do të filloj me siguri mësimi më 13 shtator pasi këtë vendim e japin institucionet shëndetësore dhe ende nuk ka një vendim të prerë nga MAShT-i.

“Kam bindjen se me 13 shtator do të fillojë viti i ri shkollor, por nuk mund të them prerazi se si do të fillojë”, ka thënë Jasharaj.

Ndryshe, në Kosovë është duke vazhduar situata e rëndë e ballafaqimit me pandeminë COVID-19. Veç sot janë shënuar 19 raste të vdekjes dhe 703 raste pozitive me COVID.

Në fuqi janë ende masat kufizuese ku pas orës 22:00 deri në 05:00 në gjithë territorin e Kosovës është në fuqi ora policore.

Share.