Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është njoftuar se ekipi i Gazetës Blic është sulmuar sot në veri të Mitrovicës, gjatë realizimit të një storie për situatën e krijuar nga koronavirusi.

Sipas raportimeve të gazetës Blic, ekipi i përbërë nga gazetarët Nebih Maxhuni, Diamant Bajra dhe kameramani Arsim Rexhepi, ishte afruar pranë një pike ku shitej miell dhe flisnin me qytetarët për të parë si po shkon furnizimi, kur ata janë sulmuar nga dy qytetarë, duke u goditur me grushte e shkelma.

Gazetari Maxhuni është duke marrë tretman mjekësor në spitalin e qytetit të Mitrovicës.

Policia e Kosovës është njoftuar për rastin dhe ekipi i gazetës Blic është intervistuar.

AGK kërkon nga organet e sigurisë që sa më parë ta hetojnë këtë rast.

“Sulmi i tillë ndaj gazetarëve është akt i shëmtuar dhe skandaloz i cili nuk përkon me një shoqëri të lirë dhe demok ratike. Vlerësojmë se aktet e tilla nuk janë të drejtuara vetëm ndaj individëve, por ndaj lirisë së mediave, fjalës së lirë dhe ndaj të drejtës së qytetarëve për të qenë të informuar”, thuhet në reagim

Share.