Aleanca Kosova e Re ka shprehur bindjen se do të dalë fituese me Lidhjen Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Kandidati për deputet nga AKR-ja, Jetlir Zyberaj, shpreson që pa vonesa të themelohen institucionet e reja me kredibilitet dhe legjitimitet të plotë.

Lista jonë e përbashkët me LDK-në ka për qëllim që t’i fitojë zgjedhjet, është shumë pak e rëndësishme pastaj ndarja e brendshme se si rrjedh, por listën tonë të përbashkët që kemi prezantuar ditëve të kaluara ta nxjerrim fituese”, tha Zyberaj.

Ai ka folur edhe për mosmarrëveshjet me LDK-në si pasojë e ndryshimit të listës, i cili thotë që nuk ka asnjë problem në mes dy partive.

“Ka qenë një keqkuptim në momentin e dorëzimit paraprak të listës së kandidatëve për deputetë, ju siç e dini nga dorëzimi fillestar i listës që ka qenë ditën e shtunë, në orën 18:00 dhe që ekziston një afat kohor prej 24 orëve për përmirësime të mundshme ka ndodhur një lëshim në listën e kandidatëve për deputetë, por i cili nuk nënkupton që ka qenë problemi i yni me Lidhjen Demokratike të Kosovës, ai problem është zgjidhur dhe nuk ka absolutisht asnjë telash në këtë drejtim, e as nuk ka pasur”, u shpreh tutje.

AKR-ja në zgjedhjet e 14 shkurtit garon me listë të përbashkët me LDK-në. /TV Malisheva

Share.