Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se në qeverinë e tij nuk mund të ketë njerëz që i harmonizojnë qëndrimet me njerëz të regjimit të vjetër.
“E kam njoftuar me shumë se gjysmë ore përpara kryetarin e LDK-së për vendimin që kam marrë dhe kam kërkuar emrin e ri për ministër. Në marrëveshjen tonë të koalicionit jemi zotuar që do të mbajmë qëndrimet e njëjta për çështje që do të na shfaqen. Po të mos ishte deklarimi i mesnatës i ish-ministrit, sot do të kishin tjetër situatë. Nuk mund të kemi në qeveri ministra që i harmonizojnë qëndrimet me dike jashtë qeverisë së re, dhe me dikë nga regjimi i vjetër. Njerëzit kur janë në këtë qeveri s’duhet të jenë, e bëjnë, e flasin sikur janë në këtë qeveri, e jo në ndonjë qeveri të mëhershme ose diku tjetër. As për deklarimin e djeshëm, që mbështeti shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme nuk u konsultua, kjo është shkelje e marrëveshjes sonë”, tha Kurti.
Kurti tha se “duam ta kemi LDK-në në koalicion qeverisës, mirëpo nuk besoj që LDK do te duhej të identifikohej me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Dua edhe më tutje bashkëpunim, veç ata duhet t’i respektojnë marrëveshjet. Nuk mundet një ministër t’ia mbajë ison idesë së presidentit për një ide nga e cila presidenti paska u zmbraps sot”, shtoi ai.
Ndërkohë LDK ka njoftuar se do të iniciojë mocion mosbesimi për rrëzimin e qeverisë, për këtë Kurti tha se do të presin çka do të veprojnë të tjerët.
“Duhet të presim se çka do bëjnë e veprojnë, e pastaj të përgjigjemi për mocionin e LDK-së. tash duhet të përqendrohemi me gjithë kabinetin qeverisës për luftimin e virusit korona”, tha Kurti.
Kryeministri Albin Kurti tha se askush nuk i beson më fjalët që ai është antiamerikan. “Kosova është vendi më proamerikan në botë, Koso va është shteti në të cilin Amerika ka më së shumti ndikim. Si bëhet që një politikan antiamerikan i fitoi zgjedhjet. Këto nuk i beson askush. Kjo është streha për diçka tjetër”, tha Kurti në konferencën për media.
“Kemi, duam, dhe do të kemi marrëdhënie të mira dhe aleancë të fuqishme me SHBA-të. Amerika dhe Evropa na nevojiten që të dyja, ne nuk kemi zëvendësim për to dhe ato nuk e zëvendësojnë njëra-tjetrën”, shtoi Kurti.
Ai përsëriti qëndrimin e tij që duhet të bëhet zëvendësimi gradual i taksës me reciprocitet ndaj Serbisë. Kryeministri i Kosovës po ashtu tha se Agim Veliu mbrëmë ka bërë tradhti ndaj qeverisë dhe Policisë së Kosovës.
“Tradhti ndaj PK-së që e ka kryer punën shkëlqyeshëm. Sa ishte ministër, ish-ministri, vetëm një mbledhje e ka mbajtur lidhur me parandalimin e përhapjes së virusit korona, vetëm një mbledhje në ministri. Tradhtia e dyfishtë ndaj qeverisë ku ishte anëtar, dhe ndaj policisë nuk mund të tolerohet”, tha Kurti.
Albin Kurti tha se “në mesin e deklarimeve kryesore ishte ai i ish ministrit Veliu, i cili në mesnatë në një tv ka përhapur panik duke thënë se numri i te infektuare po rritet nga ora në orë. Këta 19 të infektuar mbrëmë nuk ishin për 19 orë. Mbase ishte për 19 ditë. Të thuash pa kurrfarë evidence zyrtare se numri po shtohet nga ora në orë është e papërgjegjshme, e kur ke përgjegjësi ekzekutive është e dënueshme. Përveç që u gënjeu drejtpërdrejt në tv, në drejtim të frikësimit dhe shtimit të panikut, tha se është për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme. Kjo është e palejueshme dhe nuk kisha zgjidhje tjetër sot, përveç që ta lirojë nga detyra ish ministrin Veliu, raporton KosovaPress.
“Ka shprehur tradhti të dyfishtë, tradhti ndaj qeverisë dhe policisë. Të jesh ministër i brendshëm dhe të kërkosh gjendje të jashtëzakonshme ësht ë të përçmosh policinë tënde që ka kryer detyrat”, shtoi Kurti./TV MALISHEVA/