Analistë politikë  po e konsiderojnë se Propozimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të pranohet nga Kosova, sepse ky është maksimumi që mund të merret tani.

Sipas tyre, Serbia e njeh “de-facto” Kosovën, dhe vendit i hapet mundësia për anëtarësim në OKB e njohje të reja. Por, Marrëveshje përmban dhe kompromise të reja dhe jo të vogla nga Kosova, sikur që është “autonomia” për Kishën Serbe.

Visar Xani, ish-këshilltar i Edita Tahirit, e cila udhëhoqi për disa vite Dialogun, ka thënë se në këtë fazë, Serbia nuk do ta njohë Kosovën. Ai madje thotë se njohja nuk e garanton ulësen në OKB dhe as njohjen nga pesë shtetet e BE-së.

“Duke pasur parasysh shumë zhvillime, analiza politike dhe juridike. besoj që ka bërë edhe kryeministri Kurti, ka ardhur në përfundim që ky është maksimumi i mundshëm për momentin, për shkak se është vështirë që të sigurohet në këtë moment njohja prej Serbisë. Tek e fundit nëse ka avancime të tjera, pak ka rëndësi nëse vjen njohja prej Serbisë, për shkak që me e rëndësishme është një avancim i Kosovës ose një anëtarësim në të ardhmen e shpejtë në NATO, sesa një anëtarësim në OKB, për shkak se një njohje nga Serbia nuk na garanton një ulëse në OKB”.

“Por një hapje e rrugës dhe një anëtarësim i plotë, na garanton më shumë sovranitet në NATO, na garanton më shumë sovranitet në bashkëpunim edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe me partnerët tanë ndërkombëtare dhe në njëfarë mënyre kjo njohja e Serbisë mbetet vetëm mënyre teknike ose deklarative, për shkak se njohje praktikë në këtë marrëveshje vetëm se ka. Por kuptohet që edhe ka disa të drejta më shumë për komunitetin serb dhe kjo është një kompromis jo i vogël”, deklaroi Xani.

Sipas tij, në këtë fazë arritje e marrëveshje bazuar në Planin Evropian është më e duhura, ndonëse nuk konsideron si ujdinë më të mirë të mundshme, duke përmendur këtu (mos)njohjen nga pesë vendet e BE-së.

“Kosova realisht i ka pranuar kompromiset e mëhershme, kompromiset që kanë dalë nga Pakoja e Ahtisaarit, kompromiset që i ka arritur në vitin 2013 për çështjen e Asociacionit dhe në këtë mënyrë ka fituar praktikisht një paqe me Serbinë, ka fituar një njohje praktike të garantuar nga 27 shtetet evropiane dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në marrëdhënie ndërkombëtare, edhe pse s’ka shumë praktika ose shpeshherë edhe rastet krijohen në bazë të praktikave, dhe mua më duket një praktikë interesante e këtij veprimi për shkak që e njeh sovranitetin, vetëvendosjen dhe pjesët e tjera të rëndësishme të sovranitetit, e njohin njëra-tjetrën dhe vendosin marrëdhënie diplomatike. Këto i vendosin vetëm shtetet”.

“Prandaj unë konsideroj që është një maksimum i mirë momental, por a ka pasur mundësi për një marrëveshje më të mirë? ‘Po’. Një marrëveshje më e mirë do të ishte nëse do të kishim njohjen nga Serbia, njohjen nga 5 vendet evropiane. Por kjo vështirë që të ndodhë. Pra është një njohje më e mirë sesa që jemi sot, dhe kjo hap një mundësi më të mirë sa i përket avancimit të shtetësisë dhe formimit të shtetësisë”.

E analisti tjetër, Arbnor Sadiku, thotë se në këtë marrëveshje, Serbia e njeh Kosovën në mënyrë “de-facto”. Ndërsa, thotë se për shumë kohë, Kosova nuk do të ketë përparime në arenën ndërkombëtare.

“Kjo marrëveshje për Kosovën si përparësi është se Serbia ‘de-facto’ e njeh shtetin e Kosovës, Kosovës i hapet mundësia për anëtarësim në disa prej organizatave ndërkombëtare dhe të njëjtën kohë thyhet ‘status quoja’ e deritanishme që dmth se Kosova mund të ketë edhe njohje të reja”.

“Sa i përket mangësive është se Kosova normal nuk do të njihet nga Serbia për një periudhë deri një dekadë se paku; nuk do të anëtarësohet në mënyrë të menjëhershme, apo nuk e ka të garantuar anëtarësimin në OKB. Pastaj edhe Kishës Serbe i dhurohet një autonomi e lartë në kuptimin e asaj që nënkuptohet me formalizim të kësaj marrëveshje sepse ajo do të funksionojë njëjtë sikur të ishte në shtetin e Serbisë e jo në të Kosovës, e ka një pavarësi të plotë”.

Sipas Sadikut, shteti serb është nën presion nga Rusia që Kosovës mos t’i mundësohet anëtarësimi në OKB.

“Nuk kisha me thanë se kjo është krejt e mirë, por një pjesë e saj sigurisht është në dëmin e Serbisë, veçanërisht pjesa ku thuhet që Asociacioni nuk do të mund të krijohet menjëherë në formën siç e kanë kërkuar serbët dhe të njëjtën kohë anëtarësimi në OKB, hapja e mundësisë së Kosovës për anëtarësim të shpejt në OKB sigurisht ka qenë e papranueshme për Serbinë. Sepse kanë presion direkt nga Moska zyrtare se kjo mundësi mos t’i dhurohet Kosovës, për shkak se nëse Serbia e pranon Kosovën që të bëhet anëtare e OKB atëherë i bije që roli i Rusisë do të zbehej”, thekson Sadiku.

/TV Malisheva

Share.