Në 20 vitet e fundit në Serbi tri herë janë shpallur ditë zie, për vrasjen e kryeministrit Zoran Gjingjiq, vdekjen e patriarkëve Pavle dhe Irinej, rrëzimin e një helikopteri ku vdiqën shtatë persona, përfshirë një foshnjë… por për herë të parë sot është shpallur ditë zie “për shkak të ngjarjeve tragjike në Kosovë”, ku opinioni i Serbisë nuk e di konkretisht për kë apo për çfarë po mbahet zi.

Siç shkruan gazeta “Danas“, në kohën kur Qeveria e Serbisë e shpalli 27 shtatorin si Ditë zie, nuk dihej se sa serbë u vranë në Banjskë dhe as identiteti i tyre. Një pjesë e madhe e opinionit shprehu keqardhje edhe për faktin se nuk ishte shpallur dita e zisë kur u vra Oliver Ivanoviq në Kosovë as për minatorët që vdiqën në minierën “Soko” vitin e kaluar, nuk ishte shpallur ditë zie në nivel të gjithë vendit, por vetëm në tri komuna – Aleksinac, Trgovisht dhe Sokobanjë.

Zoran Zhivkoviq, drejtor programi i Qendrës për Zhvillimin e Shoqërisë Civile “MileniuM”, thotë për Danas se secili nga ne individualisht mund të mbajë zi kur dikush vdes, por shpallja e ditë zie, si vendim i Qeverisë, shtetit, duhet të ketë një shpjegim.

“Qeveria ka shkruar se është shpallur ditë zie për shkak të ngjarjeve tragjike në Kosovë. Nëse është ‘për shkak të ngjarjeve tragjike’, atëherë çdo ditë në Serbi duhet të jetë ditë zie. Që kur shefi i Vuçiqit dhe Daçiqit [Millosheviq] e njohu Kosovën e pavarur, duke i tërhequr forcat tona nga Kosova”, thekson Zhivkoviq.

Ai shton se jetën e serbëve në Kosovë e ndërlikoi edhe më shumë fakti se ata duhej të largoheshin nga institucionet, sepse Aleksandar Vuçiq u bëri thirrje që të bojkotojnë zgjedhjet.

“Serbët që mbetën në territorin e Kosovës u bënë absolutisht shënjestër e gjallë për çdo budalla atje, çdo kriminel, qoftë ai pjesë e qeverisë së Kosovës apo një individ i pavarur i çmendur. Në këtë mënyrë janë fyer të gjitha viktimat në Kosovë dhe në disa vende të njëzet viteve të fundit, të cilët nuk janë nderuar siç duhet, siç janë minatorët që kanë vdekur në minierën ‘Soko’”, thotë Zhivkoviq.

Shpalljen e ditës së zisë bashkëbiseduesi ynë e sheh si akt të një pushteti të një politike primitive “që kërkon çdo mënyrë për të treguar se sa budallaqe mund të jetë”.

Avokati Rodolub Shabiq thekson se Ligji për Shënimin e Ditës së Zisë parashikon që Dita e Zisë shpallet pas “një aksidenti veçanërisht të rëndë që rezulton me vdekje, lëndim ose dëmtim të rëndë të shëndetit të një numri të madh njerëzve ose në rastin e vdekjes së një zyrtari të lartë shtetëror”, por në mënyrë plotësuese ia lë Qeverisë mundësinë që në disa raste të tjera të shpallë Ditë zie sipas gjykimit të saj.

“Prandaj janë plotësuar kushtet formale ligjore. Por në rastin konkret, problemi është se Qeveria lë një dilemë se për çfarë dhe për kënd po shprehim keqardhje. Çfarë i referohet fjalës ‘ngjarje tragjike në Kosovë’? Cilave ngjarje dhe njerëz iu referohet? A përfshin edhe vrasjen e një polici shqiptar apo vetëm vdekjen dhe plagosjen e një pjesëtari të grupit serb që qëlloi mbi të. Qeveria nuk shpalli as emrat e të vdekurve dhe të plagosurve dhe sot nuk ka asnjë informacion zyrtar, p.sh., për gjendjen e tyre dhe vendin e trajtimit, gjë që në mënyrë të pashmangshme të çon në përfundimin se ata fshihen, dhe kjo shtron pyetje të reja të pakëndshme që kërkojnë përgjigje”, thekson Shabiq.

Sipas tij, është e papranueshme që opinioni të ketë marrë informacione kryesisht nga deklaratat e zyrtarëve kosovarë dhe përmes rrjeteve sociale.

“Disa nga ngjarjet që përmendni, si aksidenti në minierën ‘Soko’ dhe rasti ‘helikopteri’, ishte shpallur apo jo Ditë zie, na kujtojnë mënyrën se si ka dyshime se ka bazë për përgjegjësi kriminale”.

“Fakti që nuk u shpall ditë zie për vdekjen tragjike të një minatori në minierën ‘Soko’ është një lëshim skandaloz, i turpshëm nga ana e Qeverisë. Dhe duke folur për Kosovën, mendoj se vrasja brutale e Oliver Ivanoviqit duhej të shënohej me një ditë zie. Ajo ngjarje tragjike shkaktoi shqetësim dhe frikë te një numër i madh njerëzish, jo vetëm në Kosovë por në tërë Serbinë dhe hodhi hije dyshimi në të gjithë sistemin”, thekson Sabiq.

/TV Malisheva

Share.