Blerim Vela është emëruar dje për shef të Stafit të presidentes Vjosa Osmani.

Kjo është bërë e ditur nga vetë presidentja Osmani përmes një postimi në Facebook.

Blerim Vela ka përvojë profesionale 20-vjeçare në fushën e qeverisjes demokratike, politikës së jashtme dhe parlamentarizmit. Ka punuar kryesisht me organizata ndërkombëtare, përfshirë OSBE-në, UNDP-në dhe Këshillin e Evropës. Ai ka këshilluar parlamentet dhe qeveritë e vendeve të ndryshme në Evropë Lindore, Lindje të Mesme, Azi Qendrore, Kaukaz, Karaibe dhe Ishujt e Paqësorit.

Blerimi është në përfundim të studimeve të doktoratës në Universitetin e Sussex-it në Britaninë e Madhe, Departamenti i Politikës, aty ku edhe ka përfunduar magjistraturën në fushën e politikës evropiane.

Studimet në nivelin Bachelor i ka përfunduar në Departamentin e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës. Më herët ka ligjëruar në Universitetin Amerikan të Kosovës dhe Universitetin e Sussex-it.

Blerimi jeton në Prishtinë së bashku me gruan Shqipen dhe djalin Malin. Flet rrjedhshëm gjuhën angleze, ndërsa ka njohuri të avancuara të gjuhës serbe dhe asaj maqedonase./TV Malisheva

Share.