Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Aliu ka deklaruar se nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti morën zotimin se do të nisë një procedurë për zgjidhjen e çështjes së të hyrave vetanake. Ai tha se Qeveria e Kosovës duhet të ketë vullnet për adresimin e këtij problemi, derisa komentoi edhe deklarimet e Kurtit, i cili u shpreh se “kryetarët e komunave po e luajnë rolin e opozitës”.

Për këtë deklarim të Kurtit, kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu tha se kryetarët e komunave nuk janë opozitë, pasi opozita e qeverisë Kurti është në parlamentin e Kosovës.

“Kryetarët e komunave nuk kanë qenë opozitës e asnjërës nga qeveritë që janë ndërtuar që nga historia e pasluftës sepse ne thjesht bëjmë detyrën tonë, ne jemi më shumë kërkues sepse ndaj nesh janë më shumë kërkues qytetarët, dhe jemi më shumë kërkues sepse kemi shumë projekte për të bërë e zhvilluar dhe dëshirojmë t’i eliminojmë dhe evitojnë pengesat që i kemi në zhvillim e sipër. Prandaj, ne kërkojmë vazhdueshëm nga qeveritë e kaluara edhe tash kemi rastin me qeverinë Kurti të jemi kërkues, por jo absolutisht që të jemi opozitë sepse opozita e Qeverisë Kurti është në parlamentin e Kosovës, aty bëhet opozita, kryetarët e komunave të Kosovës iu takojnë të gjithë qytetarëve të tyre, po ashtu edhe Asociacioni i Komunave ka dëshmuar se ka unitet qytetar më shumë se politik”, theksoi ai.

Sa i takon çështjes së të hyrave vetanake, i pari i Ferizajt tha se morën zotimin nga kryeministri Kurti se do të fillojë një procedurë për zgjedhjen e kësaj çështjeje.

Sipas tij, qeveria duhet të ketë vullnet të zhbllokojë këtë proces.

“Sa i përket të hyrave vetanake unë kërkova nga kryeministri se nuk është çështjes si lojë fjalësh si është në debat se kush duhet të marr flamurin, për ne nuk është kjo çështje për kryetarët e komunave çështja është e si të zgjidhet, kemi marr zotimin e kryeministrit që të fillojë një procedurë e cila do të ketë zgjidhje për këtë çështje sepse të hyrat vetanake iu takojnë komunave dhe duhet të menaxhohen nga komunat… Më shumë se sa një garë është çështje e vullnetit. Qeveria duhet të tregojë vullnet në mënyrë që të zgjidhet kjo çështje e jo se si të tregohemi të fortë para dikujt ”, theksoi ai.

Sa i takon paralajmërimeve të disa kryetarëve se çështjen e të hyrave vetanake do e dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese, kryetari i Ferizajt u shpreh se nuk beson se do të vije puna deri aty.

“Nuk e besoj që do të vije puna që kjo çështje të shkoj në Gjykatën Kushtetuese sepse po besoj se takimi i sotshëm ka treguar se kemi energji për t’i zgjidhur këto çështje”, tha ai.

Kryetari Aliu u shpreh se në këtë takim me kryeministrin dhe ministrat e Kosovës kërkuan azhuritet e efikasitet në mënyrë që të evitohen problemet që po përballen.

/TV Malisheva

Share.