Që kur u identifikua rasti i parë me CoronaVirus në komunën e Malishevës, më 14 mars 2020, kryeministri Albin Kurti, vendosi masën e karantinimit për krejt këtë komunë, në qendër të Kosovës. Nuk u bë absolutisht zhurmë, pse s’u karantinua një lokalitet, pra Bubaveci, prej nga ishte rasti i infektuar, e kthyer nga Italia, të vetëdijshëm për një masë adekuate, që mbron shëndetin e qytetarëve tjerë. Mirëpo, me vet faktin se pacientja kishte lënë gjurmë edhe në kontakte familjare, Qeveria, Kurti, jo veç ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, është dashur të jetë shumë më e përkushtuar në bashkëpunim e koordinim me Qeverinë Lokale të Malishevës, konkretisht me kryetarin R. Begaj dhe personelin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare “Dr. Shpëtim Robaj”, me masa përkatëse, që të mos zgjerohet “beteja”!
Qeveria dhe kryeministri, Albin Kurti, duhej t’a kishin parasysh më tepër Malishevën, si vatër e njohur endemike e etheve hemorragjike me pasoja fatale për pothuaj 20 qytetarë, për disa vite, pas luftës e deri më 2013! Malisheva, u karantinua, por sikur u injorua me masa e ndihma adekuate në parandalimin e pandemisë Covid-19. Kështu e thanë disa herë zyrtarët e lartë të Malishevës, i skuqur që duhej të bëhej si një lypës! E kreut të Malishevës, personelit kompetent në QKMF etj., por as qytetarëve të karantinuar, duket se nuk u dolën zot aq, as kryeministri Kurti, as bashkëpunëtorët e tij. Është dashur të kishte më shumë përkushtim, mobilizim dhe koordinim me Malishevën, të paktën për hir të Gani Krasniqit, pavarësisht se pjesë shumë e rëndësishme e kësaj Qeverie në detyrë, është edhe një nuse e Malishevës, e afërt me familjen Krasniqi! Alarmi se Malisheva mund të shpërthente shpejtë, ka ditë që ishte dhënë! Për pasojë, personave injorantë, të padisiplinuar, që nuk respektuan masat e izolimit e karantimit, për interes personal të tregtisë, ia panë dhe fatkeqësisht mund tia shohin sherrin edhe të tjerë persona, familjarë apo më të largët! Urojmë që numri i të prekurve me korona virus të mos rritet, të shërohen sa më shumë pacientë dhe të vetëdijesohemi e ndërgjegjësohemi më tepër ne si qytetarë, si shoqëri e si institucione, që paguhemi nga taksat e këtij populli, që edhe mund të bëjë gabime!
Shkruan në rrjetin social, facebook, publicisti i njohur Jusuf Bytyçi/TVMalisheva/

Share.