Shkruan: Prend N. Buzhala

Çabiqi (dhe Prishtina) humbin edhe një njeri të vlerave, Elmi Krasniqin, (ndër themeluesit e spitalit të parë ushtarak të UÇK-së në Likoc)

Çabiqi (katundi im) humb edhe një njeri të dalluar të vlerave: ndërron jetë Elmi Krasniqi (Çabiq) ishte një vit më i ri se unë. Ishim shokë gjenerate për 12 vjet në fillore (Ujëmirë) e në gjimnaz (Klinë).

Është i afërm i famluujes së komandantit dëshmor, Mujë Krasniqit. Ka punuar, për një kohë të gjatë në spitalin e Prishtinës dhe jetoi në Prishtinë; edhe pse dekadave të fundit humbi shikimin, ai punonte dhe vlerë mbi vlerë kishte ndihmën e komunikimin e tij për të tjerët.

1.
Elmiun po e veçoj për katër tipare që e kanë dalluar:

– njeri gazmor, me humor të natyrshëm, që i jepte sharm ndejës e bashkëbisedimit,

– komunikimi me të tjerët, spontan, i gatshëm për ta dhënë ndihmën e tij;

– njeri i guximshëm. Gjatë viteve ’80, kur isha i përndjekur politikisht, policia ndalonte jo pak njerëz që bisedonin a qëndronin për një kafe. Ai jo vetëm që nuk frikësohej, por merrte taksinë dhe “si zotni” (si shprehej ai), shkonim deri te vendi i caktuar (meqë policia më kishin ftuar në “një bisedë informative” në Prishtinë).

Ende pa arritur atje, në rrugë na ndalon policia, na legjitimon dhe kontrollon. E pyet Elmiun se ku punon: “Jam kryeshef në kompaninë MHFFFLQ (ia shtonte nja pesë gjashtë germa, çfarë i vinin në mend”). Polici: “S’po dukeni shefa as ti e as ky kolegu yt” ( e kishte fjalën për mua). “Kujdes, mos i jep vërejtje kryeshefit… Kryeshefat nuk janë mendjemëdhenj… “, ia kthen Elmiu, tregon një batutë aty për aty, policët mbajnë barkun në duar dhe na lirojnë.

Na priste një tjetër destinacion: ajo ftesa e “bisedës informative”. Mirëpo Elmiu nuk u nda prej meje. Ai erdhi deri te stacioni i policisë dhe qëndronte te dera. Nuk largohej, deri sa më liruan…

Herëve tjera e mbante një kravatë rezervë “për t’u dukur shef”! Këso momentesh janë të shumta dhe që pashlyeshme…

2.
Sot, me ndarjen nga jeta, bëhet i ditur edhe një fakt tejet i rëndësishëm për Kosovën; se ishte i gatshëm (edhe ashtu pa shikim) të ndihmonte për çështjen e madhe, mjafton të lexohet edhe lajmi i sotëm nëpër mediat shqiptare: se ishte ndër themeluesit e Spitalit të parë ushtarak të UÇK-së në Likoc, duke ndihmuar me ilaçe e me veprimtari tjera.

Ai nuk mburrej as fliste për ato që ka bërë…

Lamtumirë, shoq!

Ngushëllime familjes, të afërmve dhe të gjithë të tjerëve që e kanë njohur.

I përjetshëm qoftë kujtimi për të.

Share.