Nënkryetari i grupit parlamentar të CDU/CSU, Johann Wadephul, dhe dy raportuesit për Kosovën për grupin parlamentar CDU/CSU Peter Beyer, koordinator transatlantik i qeverisë federale dhe ish-ministri federal Christian Schmidt, kanë shprehur mendimet e tyre në lidhje me situatën politike në Kosovë, pas rrëzimit të Qeverisë Kurti.

Nënkryetari i grupit parlamentar të CDU/CSU, Johann Wadephul, konsideron se Kosova, për të dalë nga gjendja aktuale, ka nevojë për një qeveri që mund të veprojë dhe të marrë vendime.

“Të gjithë ata që janë përgjegjës në Kosovë – parlamenti, qeveria dhe presidenti – janë thirrur të kontribuojnë në stabilitetin e veprimtarisë së qeverisë. Duke vepruar në mënyrë të vazhdueshme, qeveria duhet të rimarrë besimin e popullatës që ka humbur së fundmi,” tha ai.

Ndërsa Peter Beyer thotë se prioritet i Qeverisë së re duhet të jetë lufta vendimta re kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në mënyrë që të forcohet ekonomia e vendit dhe të përmirësohet situata sociale.

“Kjo duhet të përfshijë vazhdimin e hetimit juridik të krimeve të luftës, pa të cilat nuk mund të krijohet paqe e brendshme dhe asnjë bazë besimi. Në veçanti kjo përfshin institucionet përgjegjëse për ndjekjen penale të krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës. Ne presim që tarifat për Serbinë dhe Bosnjë dhe Hercegovinën nën qeverinë Haradinaj të ngrihen plotësisht dhe pa asnjë kufizim”, tha ai.

Christian Schmidt konsideron se Kosova duhet të vazhdojë dialogun me Serbinë, ndërsa kjo e fundit duhet të heqë dorë nga fushata e tërheqjes së njohjeve.

“Pa një ndryshim të tillë në strategjitë e tyre politike, të dy vendet do të vazhdojnë të bllokojnë rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian. Vetëm BE u ofron këtyre vendeve një perspektivë serioze dhe të përgjegjshme në të ardhmen dhe ka treguar se është gjithashtu e gatshme ta bëjë këtë,” u shpreh Schmidt.

Share.