Ylli portugez Cristiano Ronaldo ka arritur në Anglli pas kompletimit të marrëveshjes për të rikthyer tek ish-klubi i tij Manchester United.
Ronaldo, i cili u largua nga United në vitin 2009 vetëm për t’iu bashkuar Real Madridit, ku pas aventurës tek gjiganti spanjoll kaloi tek Juventusi, dhe së fundmi kompletoi rikthimin e tij në Premier Ligën angleze.
Transferimi i tij u bë zyrtare të premten e javës së kaluar, ku United e kishte konfirmuar se ka arritur marrëveshje mbi shumën e transferimit me Juventusin. Gjiganti i Serie A e kishte konfirmuar që United do të paguajë një shumë afro 23 milionë euro si dëmshpërblim për Ronaldon.
Sidoqoftë, menjëherë pas largimit të tij nga qyteti i Torinos, Ronaldo udhëtoi drejt Lisbonës për të kompletuar testet mjekësore, para se t’i bashkohej Kombëtares së Portugalisë për ndeshjet kualifikuese të Botërorit “Katar 2022”.
Pasi që u paraqit në ndeshjen kundër Irlandës, në të cilën theu rekordin për më së shumti gola në nivel kombëtaresh, gjithsej 111 sosh, Ronaldo po ashtu u ndëshkua me karton të verdhë, që nënkuptoi që pas shumë së kartonëve të regjistruar, ai do të mungonte në ndeshjen kundër Azerbajxhanit.
Në këtë mënyrë, Portugalia e liroi nga detyrat e kombëtares Ronaldon, duke ia dhënë mundësinë që të largohej drejt Manchesterit, ku edhe ka mbërritur.
“Cristiano tani është duke u përgatitur që të fillojë stërvitjet me skuadrën e Ole Gunnar Solskjaer në qendrën Carrington nga java e ardhshme”, shkruante në faqen zyrtare të Manchester United për arritjen e Ronaldos.
Debutimi i Ronaldos në rikthimin tek “Djajtë të Kuq” pritet të jetë më datën 11 shtator, në përballjen kundër Newcastle United, e vlefshme kjo për xhiron e katërt të Premier Ligës angleze. /TV Malisheva