Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mbajnë dy seanca plenare të premten. Në seancën e parë pritet te hedhen në votim rreth 50 pika të papërfunduara nga seancat e kaluara. Ndërsa, në seancën e re plenare do të mbahet interpelanca e kryeministrit Avdullah Hoti për marrëveshjen e Uashingtonit, ku përfshihet Liqeni i Ujmanit.

Kështu vendosi kryesia e Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e sotme. E pas diskutimit dy orësh të kryesisë, para mediave, doli nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci, e cila tha se gjithë ky grumbullim i pikave është si pasojë e mungesës së vendimmarrjes, e cila sipas saj është për shkak të mungesës së shumicës parlamentare nga ekzekutivi.

“U vendos që me datën 18, ditë e premte fillimisht të mbahet seancë ku do të hidhen përsëri në votim gjitha pikat e grumbulluara, të mbetura nga seancat paraprake. Janë diku rreth 50 pika dhe kishte diskutim për këtë çështje, kishte propozime se pa u arritur një konsensus mos t’i hedhim në votim. Mungesa e votimit është për shkak të mungesës së shumicës parlamentare që mundëson të kalohen projektligjet, apo raportet. Pas kësaj seance do të jetë seanca e re që planifikohet të fillojë në orën 11:00 me trajtimin e disa pikave, duke filluar nga çështjet e zakonshme të rendit të ditës dhe pastaj interpelanca e iniciuar nga deputeti Librun Aliu në lidhje me marrëveshjen e 4 shtatorit, me pikën për ndarjen e Ujmanit”, tha ajo.

Krahas kësaj, Nagavci kritikoi qeverinë edhe për mungesë të procedimit në Kuvend të projektligjeve.

“Po mungon vendimmarrja për shkak të mungesës së shumicës parlamentare, gjegjësisht se shumica nuk po arrijnë të ketë minimumin e shumicës së votave për shtyrë përpara çështjet. Është edhe një element tjetër që duhet përmendur, në shumicën e këtyre 50 pikave të grumbulluar, pjesa më e madhe janë raporte dhe rezoluta. Ka pak projektligje që kanë mbetur të pa votuara”, u shpreh ajo.

E dyta e Kuvendit, përmes një konference për medie, tha se përkundër që kishte mospajtime në mbledhje të kryesisë, presin që seancën e radhës të shqyrtohet edhe mocioni përmbajtjesor për shkarkimin e Bordit të RTK-së.

Ajo tha se synimi dhe qëllimi i partisë që përfaqëson është që Kosova të ketë një medium publik kredibil, e jo i të ndikuar nga grupet politike.

“Synimi dhe qëllimi i Lëvizjes Vetëvendosje në raport me RTK-në është që të kemi një medium publik kredibil dhe që është në interes së vërtetës publike dhe të gjitha qytetarëve të vendit, e jo i ndikuar nga grupacionet politike. Ne ashtu siç jeni në njohuri kemi bërë publike se kemi iniciuar një mocion përmbajtjesore në lidhje me çështjen e RTK-së. U diskutua goxha gjatë edhe kjo pikë, kishte tendenca dhe interpretime nga nënkryetari nga radhët e PDK-së se nuk duhet të lejohet një gjë e tillë. Unë e paraqita qëndrimin tim edhe në mbledhje të kryesisë se nëse ajo ndalon të trajtohen kërkesa të deputetëve atëherë kjo do të ishte shkelje e rregullores nga ana e kryesisë. Qëndrimet ishin të ndryshme, ne besojmë se janë plotësuar gjitha kushtet sipas rregullores që të procedohet në seancë. Duhet të jetë seanca që ajo të merr vendim në lidhje me kërkesën dhe mocionin e parashtruar. Presim që kjo të trajtohet në seancë”, tha ajo.

Krahas këtyre, në seancën e së premtes pritet të shqyrtohen edhe disa projektligje të iniciuara nga Qeveria e Kosovës./TV Malisheva

Share.