Deputeti shqiptar në Serbi, Shaip Kamberi, e ka quajtur të domosdoshme vendosjen e Flamurit Kombëtar brenda sallës së Parlamentit në Beograd.

Sipas tij, kjo simbolik kishte peshë të madhe, mirëpo duket se nuk çoi peshë te Qeveria e Ana Bërnabiqit.

Kamberi, i cili qëndroi sot në Kosovë, me rastin e Ditës së FSK-së, tregoi se ideja e djeshme e kësaj kërkese ishte për ndërtimin e një barazie në nivel rajonal.

Në një intervistë për Indeksonlinen, ai ka deklaruar se Serbia është i vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor që me ligj e ndalon përdorimin e simboleve.

“E përmenda se Mali i Zi e ka lejuar me ligj të veçantë përdorimin e simboleve të pakicave, Maq.e Veriut po ashtu, në Kosovë serbët e përdorin lirshëm dhe pa penguar nga askush. Duke shfrytëzuar prezencën e Qeverisë në Parlament, unë kam dashur ta shtroja këtë çështje, jo vetëm me fjalë, por edhe në mënyrë simbolike, sepse nganjëherë simbolika ka peshë më të madhe”.

“Por në bazë të reagimeve të djeshme, akoma nuk duket ndonjë vullnet në Beograd për të marrë hapat e domosdoshëm të harmonizojë legjislacionin e vet me atë të rajonit”, është shprehur ai.

Share.